“Sa u nalën pak”: A po tentohet “harresa” e skandalit në RTK, ashtu siç u zbulua me mesazhet në Viber?
“Çudia më e madhe zgjat tri ditë”. Mbase me këtë formulë, drejtori i TV-së në RTK bashkë me vartësit e tij të përfshirë në raportimin skandaloz kundër Nacionales, po tentojnë ta lënë në harresë temën e cila u diskutua për një javë në Kosovë.
Kjo, duke shmangur secilën masë, qoftë ajo edhe nga Bordi i RTK-së, i cili tash e disa ditë nuk kanë bërë asnjë reagim. Arsyetimi duket se është gati: Komisioni Hetimor po e kryen punën e tij. Megjithatë, puna e komisionit tashmë po mbush 2 javë, dhe ende nuk ka rezultat.
Sigurisht, tendenca e Gërvallës me shokët e tij që e “gatuan” këtë lajm në favor të pushtetit është që ky raportim të lihet në harresë.

Si dëshmi për këtë, janë edhe disa mesazhe në Viber të cilat i kishte publikuar gazeta Nacionale, pak ditë pas skandalit.
Aty, udhëheqësja e mediave online, Valjet Kosumi, i kërkonte Rilind Gërvallës të mos përfshihej në debat, pasi sapo ishin ndalur pak reagimet.
Nacionale nga burimet e veta ka siguruar disa fjalë të cilat Valjeta Kosumi e ka pasur për synim t’i dërgojë në drejtim të Rilind Gërvallës, por gabimisht, i dërgoi në grupin e Dhomë së Lajmeve të RTK-së në Viber.
Në këto pak fjalë që ka siguruar Nacionale, pasi disa prej tyre ishin fshirë, Kosumi i kërkon Gërvallës të mos reagojë më, pasi, “sa u nalën pak”. Duke aluduar në ndaljen e reagimeve. Më pas, i jep edhe një këshillë se deklaratat për Kallxo.com, kanë qenë të mjaftueshme.
Në pjesën e parë të bisedës, Valjet Kosumi, i thotë Gërvallës të mos flet për media.
Burimet i kanë bërë të ditur Nacionale se këto fjalë, Valjeta Kosumi, ka pasur t’ia dërgojë Gërvallës, por që me të vërejtur se i ka dërguar gabimisht, i ka fshirë menjëherë. Këtë e ka siguruar edhe me ‘Screen Shot’ gazeta jonë.
“Sa u nalen pak, thjeshte menoj qe sja vlen. Paske fol per qato media, besoj qe qajo mjafton. Ti prape e din”, thuhet ne këtë mesazh që përgjegjësja e mediave online e dërgoi gabimisht në grupin me mbi 60 aëntarë të Dhomës së Lajmeve në RTK.
Disa sekonda më pas, ajo i fshiu menjëherë këto fjalë. Por, këto nuk i ikën burimeve të Nacionales, të cilat arritën t’i ruajnë fotografitë.
Komunikimi ndodhi pak para se Ermal Panduri në RTV Dukagjini të kërkonte përgjigje nga Gërvalla, e pak minuta përpara se Rilind Gërvalla të dilte me postimin e tij të gjatë në rrjete sociale, ku e sqaronte gjithë situatën, duke bërë që biseda e Valjeta Kosumit me Gërvallën, të marrë formë.
Të hënën e para dy javësh, Televizioni Publik i Kosovës, që paguhet nga taksat e qytetarëve, kishte vendosur ta bëjë një prej skandaleve më të mëdha në histori pas luftës.
Duke u shndërruar në një zë të pushtetit, RTK-ja në portal dhe në televizion, transmetoi një lajm nga një portal boshnjak, duke pretenduar se dy media të Kosovës financohen nga Serbia.
Artikulli në portalin e RTK-së përmendte me emër mediat, e më pas u editua dhe emrat u larguan. Kurse, në lajmet qendrore u dha jehonë se si dy portale paguhen nga presidenti i Serbisë.
Një mbledhje e Bordit të RTK-së u thirr menjëherë të nesërmen, u krijua edhe një komision për ta hetuar komplet ngjarjen, megjithatë gjithçka po shkon zvarrë.
Komisioni, Nacionale raportoi se ka nisur punën, megjithatë nuk pritet të ketë ndonjë raport në një të ardhme të afërt.
Pra, kur janë bërë 2 javë nga ai raportim skandaloz, asnjë masë ndaj askujt nuk është marrë. Madje, as ndaj drejtorit të TV në RTK, përfaqësuesit me librezë të VV-së, Rilind Gërvalla. Ky i fundit edhe publikisht e la të kuptohet se e ka incuar këtë raportim. Madje, duke e arsyetuar se e ka marrë nga AKI-ja.
Si pasojë e kësaj situate dha dorëheqje edhe U.D Drejtoresha, Zana Spahiu. Deri më tash, nuk dihet as kush është bërë U.D Drejtor i ri. Pra, mjegull totale.
Asnjë masë. Aspak transparencë. Pavarësisht distancimit të Bordit, anëtarët e këtij të fundit duket se kanë vendosur që raportimin skandaloz ta lënë në harresën e kohës.
U.D Drejtoresha e dorëhequr, Zana Spahiu, doli me një. Megjithatë, reagim të zbehtë. Ajo nuk e tha asnjë fjalë për raportimin skandaloz, madje indirekt pati disa fjalë për gazetarët e distancuar nga ky raportim.
“Shpesh harrojmë se çka realisht është RTK, shpesh harrojmë që jemi televizion dhe radio. Shpesh harrojmë se jemi konkurent me mediume tjera vendore dhe se duhet të bëjmë maksimumin të dalim të parët në shikueshmëri. Nganjëherë kam frikë se kemi harruar ta bëjmë dallimin në mes të kritikës që vjen nga taksapaguesi dhe dëmtimin që vjen nga konkurenti”, tha ajo, pavarësisht se as Nacionale as Periskopi nuk janë konkurent, pasi nuk janë televizione.
“Papritmas, sikur rrufeja, ndodhi kjo për të cilën u bë një reagim i madh, kryesisht nga jashtë, nga gazetarë e shoqëri civile”, shkroi Spahiu, duke mos thënë asnjë mendim të saj për skandalin që ndodhi.
“RTK është institucion nga i cili asnjëherë nuk duhet të distancohemi me lehtësi!”, tha ajo, duke aluduar në gazetarët e distancuar e duke harruar protestat e distancimet në të kaluarën.
Megjithatë, reagimet nuk janë ndalur brenda RTK-së e jashtë RTK-së. Ushtruesja e detyrës së kryeredaktores në Radiotelevizionin e Kosovës, Leonora Bërbatovci u lajmërua para pak ditësh me një shkrim pas shumë reagimeve, megjithatë, nuk e tha asnjë fjalë për “fake-neësin” e lëshuar nga transmetuesi publik.
“Në sy u pamë edhe mëngjesin e së hënës. Por prej mesditës nuk u pamë më. Madje as s'u dëgjuam e lëre më që s'u shkruam fare. Të shkruara i pashë vetëm distancimet. Disa i lexova e disa të tjerë i pashë vetëm si "folloëers" të nismëtarëve” – shkroi ajo.
Bërbatovcit i reagoi një kolege e saj e RTK-së. Pranvera Munishi, redaktore në RTK, i reagoi Bërbatovcit për ftesën për debat.
“Duke te njohur mire, thelle jam e bindur qe je e vetedijshme per shkeljen profesionale qe eshte bere ate nate, prandaj une jam distancuar, pasi qe me dhjetra here si pergjegjese editoriale kam refuzuar te identifikohem me lajme te cilat i ka gatuar politika.” – ka shkruar ajo.
Pas publikimit të lajmit skandaloz, RTK-ja është kritikuar me të madhe nga organizata të huaja e vendore, nga gazetarë e analistë të cilët thonë se RTK-ja është e kapur nga pushtetit.
Organizatat joqeveritare dhe aktivistët kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së pas raportimit skandaloz për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.
“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.” – thuhej në reagimin e tyre.
Gjithashtu, edhe organizata ndërkombëtare “Safe Journalist” ka reaguar ashpër pas sulmeve nga pushteti ndaj Nacionale dhe Periskopit.
“Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën e shpifjeve të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe shpërndarjen e “lajmeve” të tilla që sulmojnë mediat tjera në Transmetuesin Publik të Kosovës RTK. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë shpifëse dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre” – thuhej në reagimin e tyre.
PDK-ja ka bërë të ditur se do të iniciojë mocion për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të RTK-së.