“S'jemi të varfër, jemi të vjedhur”: Shtohet numri i ministrave që dyshohen për korrupsion, ku mbeti zotimi i VV-së për qeverisje me duar të pastra?
Zotimi kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje për të ardhur në pushtet ka qenë lufta ndaj korrupsionit dhe qeverisja me duar të pastra. Me të marrë pushtetit duket se kjo parti i ka braktisur këto zotime me të cilat i ka fituar mbi 50 zgjedhjet e vitit 2021.
Në vitin e fundit të mandatit të Qeverisë Kurti është shtuar numri i ministrave në Qeverinë Kurti që po hetohen për korrupsion nga organet e drejtësisë.
I fundit që po hetohet për korrupsion është ministri i Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Pavarësisht nisjes se hetimeve për korrupsion për keqpërdorim të detyrës zyrtare, askush prej ministrave apo zëvendësministrave nuk kanë dhënë shenja se do të dorëhiqet.
Kjo ka nxitur reagimin e shoqërisë civile. Përfaqësuesit e shoqërisë civile ia kanë rikujtuar VV-së frazën që i binte fortë kur ishte në opozitë: Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur.
Drejtori i Institut Demokratik të Kosovës(KDI), Ismet Kryeziu, ka vlerësuar se çdo zyrtar i lartë politik që është nën hetime duhet te dorëhiqet ose shkarkohet.
“Pushteti nuk duhet të përdorë shtetin për të ndikuar, sulmuar e kundërshtuar drejtësinë. Një vlerë dhe dallim i qeverisjes Kurti do të ishte, në momentin kur ngrihen akuza dhe nisin hetime për figura të larta politike, të ketë dorëheqje dhe shkarkime, jo sulme ndaj mediave e institucioneve të pavarura. Nuk jemi të vafër, jemi të vjedhur”, ka shkruar Kryezi në profilin e tij në “Facbook”.
Kurse, drejtori i Institut të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ia ka rikujtuar VV-së se zgjedhjet e fundit i ka fituar në emër të luftës ndaj korrupsionit.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se gati gjysma e kabinetit qeveritar janë nën hetime.
“Partia e cila fitoi bindshëm zgjedhjet në vitin 2021 në emër të luftës kundër korrupsion, ne vitin 2024, më shumë së gjysma e kabinetit qeveritar të akuzuar apo dyshuar për korrupsion masiv qeveritar. Dhe prapë kanë dinjitet dhe kurajo me dal me fol për luftën kundër korrupsion. Dhe prapë ka pakurrizorë dhe shërbëtorë që dalin e i mbrojnë”, ka shkruar Miftaraj.
Dje gazeta Nacionale ka raportuar se Prokuroria Speciale ka marrë aktvendim për zgjerimin e hetimeve në çështjen e ambalazhuesve të ujit. Sipas aktvendimit i pandehur rezulton të jetë Ministri i Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Sipas dokumentit të siguruar nga Nacionale, ministri Liburn Aliu dyshohet se gjatë periudhës kohore, prej vitit 2021-2024 në cilësinë e personit zyrtar, pra si ministër, me qëllim të përfitimit të kungërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të tjerët dhe për t'i shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Kosovës, ka keqpërdorur pozitën zyrtare.
Pas raportimit të Nacionales, ka reaguar edhe ministrit Aliu, i cili është zotuar se do të bashkëpunojë me prokurorinë për zbardhjen e çështjes në fjalë.
“Po qarkullon në disa media një lajm se kanë nisur hetime ndaj meje. Unë njoftim zyrtar nuk kam patur, por dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe vetë prokurorinë se për mua autoriteti më i lartë është ligji, se punoj dhe angazhohem çdo ditë për respektimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre, dhe se për çdo çështje, çdo hetim apo çdo dyshim, jam i gatshëm të bashkëpunoj vetëm për drejtësi, sipas ligjit, deri në zbardhjen e plotë të çdo rasti”, ka shkruar Aliu në profilin e tij në “Facebook”.