“S`bëhet opozitë kështu”: Opozita e harron Qeverinë Kurti, fillon një përplasje të re brenda vetes - NACIONALE

“S`bëhet opozitë kështu”: Opozita e harron Qeverinë Kurti, fillon një përplasje të re brenda vetes

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Opozita ka injoruar thirrjet për bashkim kundër Qeverisë Kurti. Subjektet politike opozitare kanë nisur një përplasje të re brenda vetes, duke akuzuar njëra tjetrën për “bashkëpunim” me pushtetin.

Krijimi i koalicionit të parë parazgjedhor në mes të AAK-së dhe Nismës duket se ka turbulluar ujerat në opozitë. Pak ditë pas nënshkrimit të këtij koalicioni, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka drejtuar një mal me kritika ndaj dy partive më të mëdha opozitare.

Ai ka thënë se me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së nuk bëhet opozitë. Kjo ka nxitur një reagim të ashpër nga LDK-ja. Ndërsa, PDK-ja nuk i ka komentuar fare kritikat.

Në një intervistë për “Radio1”, deputeti i AAK-së ka thënë se Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku kanë probleme brenda partiake.

Me Lumirin e me Memlin është problem opozita, kjo duket për shkak të telasheve që kanë brenda strukturave dhe edhe më keq është se në momentin më të keq për Kosovën këta kanë qëlluar liderë të partive të tyre, e me ta është problem me i dalë opozitë Albin Kurtit. Lumiri po i sheh disa ëndrra me ‘rrugën e re’ por, ai sondazhet i ka në tavolinë dhe e din se LDK-ja nuk janë në atë stadin ku ai po e paraqet. Edhe PDK-ja me Memlin që është shumë djalë i mirë, mirëpo për këtë situatë nuk ka mundësi të bëjë diçka me PDK-në”, ka thënë Berisha.

Kjo kritikë e ka nervozuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

I pari i LDK-së ia ka thumbuar koalicionin AAK-Nisma, duke thënë se kur është në pyetje LDK-ja pushteti dhe opozita bëhen bashkë.

Qenkan marrë sot me mua edhe nga pushteti edhe nga ‘fronti i bashkuar opozitar’. Shihni se kur është në pyetje LDK-ja, të dyja, se ç’na bëhen bashkë. Ndoshta po bëhen gati për bashkëpunim të gjatë. Ndoshta matjet e bëra, këto pa propagandë, po u japin frikë në palcë”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij në “Facebook”.

Më tej, ai ka përmendur disa punë jo të mira të Qeverisë Kurti dhe Qeverisë Haradinaj.

Rruga e Re është zgjidhja! As si këta e hiç se hiç si ata! Si LDK; forcë moderne e zhvillimeve të mëdha. Një që nuk merr 4 vjet kohë për gjysmë autostradë, e as nuk u falë ‘Bechtel-ve’ 54 milion euro dhuratë”, ka shkruar i pari i LDK-së”, ka shkruar Abdixhiku.

Opozita duhet të merret me Qeverinë Kurti

Derisa zgjedhjet e reja po afrohen, nuk kanë munguar zërat për unifikim të opozitës në raport me Qeverinë Kurti.

Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka ftuar opozitën që të mos merren me njëra tjetrën.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se opozita duhet të merret me Qeverinë Kurti.

Ata më së miri e dinë që është dashur të bëhet më shumë. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë. Mirëpo tash nuk është më koha që partitë opozitare të merren me njëra tjetrën, por që përqendrimi të jetë përmes kritikës konstruktive të demaskohen politikat e gabuara të qeverisë!”, ka thënë Sherifi.

Gjatë këtij mandati, opozita vazhdimisht është kritikuar për mos unifikim në raport me Qeverinë Kurti.

Ndonëse në përgjithësi tri subjektet opozitare parlamentare kanë bashkëpunuar në shumë çështje, duke përkrahur iniciativat e njëra-tjetrës, përsëri opozita është kritikuar për mos krijimin e një fronti opozitar.

Edhe më herët, lideri i AAK-së, Ramush Haradinja, ka kritikuar dy partitë më të mëdha opozitare për mospërkrahje e mocionit ndaj Qeverisë Kurti, të cilin e kishte iniciuar AAK-ja.

Bashkëpunimi kryesore i opozitës ka qenë kryesisht në thirrjen e seancave të jashtëzakonshme parlamentare dhe formimin e komisioneve hetimore parlamentare.

Lajme të ngjashme