Rusia: Kompromisi mes Beogradit dhe Prishtinës i paqëndrueshëm, është anashkaluar çështja e Asociacionit - NACIONALE

Rusia: Kompromisi mes Beogradit dhe Prishtinës i paqëndrueshëm, është anashkaluar çështja e Asociacionit

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Marija Zakharova ka komentuar zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se një kompromis i arritur mes vendeve me garanci të Perëndimit, nuk mund të quhet i qëndrueshëm.

“Një kompromis i arritur me garanci të forta nga Perëndimi vështirë se mund të quhet i qëndrueshëm. Për serbët është anashkaluar çështja vendimtare e formimit të Unionit të Komunave Serbe, i cili duhet të jetë instrument efektiv për realizimin e të drejtave dhe sigurisë së tyre në kushtet e persekutimit sistematik në baza kombëtare”, ka thënë Zaharova, sipas Sputnik.

Sipas saj, derisa Prishtina të përmbushë këtë obligim kyç, të cilin e ka sabotuar për dhjetë vite, situata do vazhdojë të mbetet e njejtë me rrezik të vazhdueshëm të përshkallëzimit të ri.

“Ne e dimë shumë mirë çmimin e çdo garancie nga Perëndimi. Këtë e kemi parë shumë herë në Ukrainë, në Ballkan dhe në vatrat e tjera të krizës. Përderisa, përkundër marrëveshjeve për deeskalim, për të cilat insistojnë SHBA-ja dhe BE-ja, çështjet kyçe në Kosovë mbeten të pazgjidhura, nuk është e mundur të arrihet një zgjidhje e përhershme. Ndërmjetësimi i BE-së në dialog nuk jep rezultate, negociatat janë të pakuptimta, gjë që i jep Prishtinës mundësinë për të forcuar kursin e saj antiserb”, ka thënë Zaharova.

Lajme të ngjashme