Rusia ka plane për veriun e Kosovës, asnjë nuk është i mirë
Vladimir Putin ka dështuar deri më tash në disa fronte. Pjesë e planeve të tij janë edhe destabilizimi i Baltikut dhe Ballkanit. Qeveria e Kosovës nuk do të duhej të bëhej pjesë e kësaj loje.
Shkruan: Berat Buzhala
Thuhet që kur u kishte dhënë urdhër ushtarëve të tij që ta kalojnë kufirin rus e të dalin në Ukrainë, Vladimir Putin, për ta fituar atë luftë kishte llogaritur në disa faktorë. Fillimisht kishte llogaritur në fuqinë e ushtrisë së tij. Nëse SHBA në këto 20-30 vite kishte marrë pjesë në disa luftëra, si Irak, Afganistan, Kosovë etj, Rusia, që prej shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ushtarët e vet i kishte mbajtur në kazerma. Bota e dinte që ushtria ruse ishte e fortë, që ajo kishte armatim konvencional dhe jokonvencional, por askush nuk e dinte forcën reale të saj. Inkursioni i vitit 2014 në Krime, por edhe ai në Oseti në vitin 2008, nuk kanë qenë teste reale. Forca rezistuese kishte qeneëminimale. Prandaj, të gjithë ishin kurioz për ta parë këtë ushtri duke u përballur me një ushtri të një shteti të vërtetë, siç ishte Ukraina.
Vladimir Putin kishte premtuar që pushtimi i Ukrainës do të ishte më shumë si një aneksim pa luftë, si nje anschluss, se sa një luftë e vërtetë në mes të dy ushtrive. Duke e pasur në krah të vetin Bjellorusinë, duke e pasur Krimenë të pushtuar, duke e pasur një dominancë të frikshme nga deti dhe nga uji, Putin kishte konsideruar që Ukrainën do ta pushtonte shumë me shpejt se sa që e kishte pushtuar Hitleri Poloninë.
Rezistenca e ukrainasëve, të prirë nga Zelenski, e mahniti botën. Sigurisht që kjo gjë nuk do të mund të bëhej pa armët e perëndimorëve. Para dy diteve, për herë të parë, Rusia i kishte dërguar notë proteste Amerikës për armatosjen e Ukrainës. E kishte kërcënuar se nëse do të vazhdonin në këtë formë, do të përgjigjej. Askush nuk e di sigurt se si do të përgjigjet, por të gjithë e dinë që Rusia më në fund po e pranon që dëmi që po i bëhet është tmerrësisht i madh.
Pra, Putin dështoi në llogarinë fillestare. Që do ta pushtojë shumë shpejt Ukrainën dhe do të tallet me Perëndimin.
Faktori i dytë ku lideri rus kishte llogaritur ishte përçarja e aleancës Perëndimore, qoftë brenda NATO’së, qoftë ajo në Bashkimin Evropian. Deri tash kishte pasur sukses. Pushtimi i Krimesë, ndërhyrja brutale ne Siri, por edhe më herët pushtimi i Osetisë, i kishin dhënë të drejtë. Masat e Perëndimit ndaj tij kishin qenë qesharake. Efekti real i sanksioneve të BE’së dhe SHBA’së nuk e kishte prekur as ekonominë ruse, e as rrethin e oligarkëve të Putinit. Varësia e Bashkimit Evropian, posaçërisht e Gjermanisë, ndaj gasit rus ishte më e fortë se sa çfarëdo shkelje e të drejtave të njeriut. Angela Merkel, në tri mandate të saj, në raport me Rusinë kishte vazhduar ta implementonte njëfar lloj standardi të vendosur para 50 e kusur vitesh, të quajtur Neue Ostpolitik, Politika e Re ndaj Lindjes, ku gjermanët kishin vendosur që të hapeshin. Pastaj mos të flasim për politikanët në Hungari, si Orban, ne France si Le Pen, Itali si Salvini e të tjerë, që duke u rebeluar ndaj rendit liberal evropian, usheqeheshin në Kremlin. Shumë prej këtyre politikanëve, si Le Pen, i përdornin bankat ruse edhe si institucione për të marrë kredi për fushatat zgjedhore.
Putin kishte llogaritur edhe në këtë dimension. Lidershipi i fuqishëm amerikan, nën presidentin Biden, ishte shumë më i fortë se sa vozhdi rus kishte shpresuar. Madje, së paku deri më tash, Evropa u bë shumë më unike se sa kishte qenë në 20 vitet e fundit. Shtete ushtarakisht neutrale si Finlanda dhe Suedia janë duke e shqyrtuar mundesinë që të bëhen pjesë e NATO’së, e paimagjinuesheme vetëm para disa muajve. Mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet në Francë, ku një fitore eventuale e Le Pen do të ishe një dritë në fund të tunelit për Rusinë.
Faktori i tretë i rëndësishëm ku Putin kishte llogaritur kishte qenë edhe shpërndarja e konfliktit dhe luftës edhe në vende të tjera, në mënyrë që të hapeshin edhe fronte të tjera, duke nxitur valë refugjatësh dhe destabilizim të Bashkimit Evropian, përmes forcimit të partive të djathta, të cilat u rriten tej mase pas luftës në Siri, ku miliona veta zbarkuan në Perëndim. Vladimir Putin për partitë e të djathtës ekstreme evropiane, por edhe amerikane, ka kohë që po shihet si një lloj kalorësi i racës së bardhë dhe të krishterë. Për të, në mënyrë superlative kanë folur politikanë si Nigel Farage, Mateo Salvini, e deri te Donald Trump. Një macho politikan, i afërt me Kishën Ortodokse, që flet me përbuzje për vlerat liberal demokratike.
Dy pikat më të ndieshme në kontinentin evropian, ku çdo kush frikësohet që situata mund të eskalojë, kanë qenë Baltiku dhe Ballkani. Nëse në rastin konkret, prezenca e forcave të NATO’së është njëfarë sigurie shtesë, kurse vende si Estonia, Lituania dhe Letonia nuk kanë probleme ose paqartësi territoriale, në Ballkan gjërat janë shumë më të komplikuara, posaçërisht kur e kemi parasysh hermafroditetin serb, që vazhdon të kërkojë anëtarësim në Bashkimin Evropian, vazhdon t’i votojë rezolutat amerikane kundër Rusisë, e në anën tjetër i premton lojalitet të plotë Rusisë.
Ndikimi rus në Serbi është i jashtëzakonshëm. Në këtë shtet, përveç tjerash, shërbimet sekrete ruse kanë operuar edhe jashtë kontrollit të vetë Serbisë. Në nje rast të ngjashëm, vite më parë, vetë kreu i shtetit, Aleksander Vuçiq, kishte treguar pakënaqësi të madhe. Nje vështirësi e tillë ishte zbutur, por çdo kush e di që ne terren asgjë nuk ka ndryshuar. Putin është politikani i vetëm që seriozisht mund ta sfidojë Vuçiqin, prandaj ky i fundit ka kohë që po ecë nëpër akull të hollë, me njerën këmbë në Perëndim me tjetrën në Lindje. Votën Amerikës, dashurinë Rusisë.
Kosova nuk e ka luksin serb. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova politikisht, me të drejtë, është përcaktuar kah Perëndimi. Rezultatet në terren flasin vetë. Prej një vendi të shtypur dhe të okupuar, kemi përfunduar në një shtet të pavarur, të njohur ndërkombëtarisht nga shumica e shteteve të botës dhe me një aleancë të shëndoshë me SHBA’ve. Garantues për këtë janë forcat e NATO’së të stacionuara në vendin tonë.
A është kjo situata ideale?
Fakti që edhe më tutje nuk jemi pjesë e OKB’së, fakti që edhe më tutje jemi i vendi më i paintegruar në Bashkimin Evropian, është mjaft frustrues. Mirëpo, më frustrues është fakti që në një pjesë të territorit të Kosoves, në veri, do të mjaftonte vetëm një shpërqendrim momental që situata të dilte nga kontrolli. Nuk është sekret të thuhet që ne Mitrovicë të Veriut, por edhe me gjerë, operojnë një konglomerat forcash paralele të sigurisë dhe spiunazhit. Sa herë që serbët lokalë protestojnë kundër masave të autoriteteve të Kosovës, atje në barrikada shfaqen lloj-lloj bandash, që e shfrytëzojnë çdo rast për t’u kamufluar dhe për t’u bërë një me banorët civië. Nuk ka asnjë dyshim që pjesë e atyre bandave janë edhe agjentët rusë.
Sot më shume se kurrë do të ishte në interesin e këtyre agjentëve dhe shefit të tyre në Moskë që situata e sigurisë në Kosove të përshkallëzohej në një konflikt të hapur, mundësisht të armatosur, mundësisht palë të përfshira të ishin sa më shumë shtete.
Prandaj, çdo kush që kupton vetëm pak nga politika e jashtme, çdo kush që vetëm sipërfaqësisht ka lexuar analiza të instituteve të ndryshme ose mediave me kredibilitet, do ta kuptonte që në situatën nëpër të cilën po kalon Evropa, do të ishte strategji e gabueshme dhe e rrezikshme që provokimeve në veri te vendit Kosova t’iu përgjigjej me forcë. Veriu i Kosovës do të intergrohej shumë më lehtë dhe shumë më mirë në rast të humbjes së Rusisë ne Ukrainë. Disa beteja nuk do të duhej që patjetër të zhvilloheshin në vendin tonë.