Rusia ka bombarduar një urë kyçe për në Bakhmut, thotë policia ukrainase - NACIONALE

Rusia ka bombarduar një urë kyçe për në Bakhmut, thotë policia ukrainase

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Forcat ruse bombarduan natën e kaluar një urë kyçe që e lidh qytetin e rrethuar, Bakhmut, me fshatin Khromove, tha policia ukrainase në rajonin e Donetskut.

Policia e qytetit Konstantinyvka i tha televizionit CNN se shpreson që ta riparojë urën ditëve të ardhshme, sepse ajo është arterie jetike për nxjerrjen e civilëve dhe për lëvizjen e furnizimeve, përfshirë armatimin.

Kjo urë është, gjithashtu, rruga e vetme për furnizim nga Bakhmuti për qytetin Chasiv Yar, raporton televizioni i njohur amerikan.

Sipas policisë ukrainase, ushtria ende mund të ketë qasje në qytet nëpër rrugë me baltë e nëpër fusha.

Në rajonin e Donetskut është në fuqi urdhri për evakuim të detyrueshëm dhe rreth pesë mijë njerëz ende ndodhen në Bakhmut, sipas zyrtarëve ukrainas.

Forcat ruse janë duke përparuar në Bakhmut, por ushtria ukrainase thotë se është duke e mbajtur terrenin e vet në betejën për këtë qytet dhe se nuk planifikon që të tërhiqet.

Lajme të ngjashme