Blinkeni thotë se Rusia duhet të ndëshkohet për luftën në Ukrainë - NACIONALE

Blinkeni thotë se Rusia duhet të ndëshkohet për luftën në Ukrainë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia nuk mund të lejohet që të zhvillojë luftë pa u ndëshkuar, tha të premten sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, pas një takimi me homologët e tij nga India, Japonia e Australia në New Delhi.

Ai që njihet si Grupi i Quad-it, në një deklaratë të lëshuar pas këtij takimi, tha se përdorimi ose kërcënimi për përdorimin e armëve bërthamore është i papranueshëm, raporton agjencia “Reuters”.

Para disa ditëve, presidenti rus, Vladimir Putin, e pezulloi traktatin e fundit për kontrollin e armëve me Shtetet e Bashkuara dhe kërcënoi se vendi i tij do t’i rifillonte testet bërthamore.

“Nëse e lejojmë Rusinë që pa u ndëshkuar ta bëjë atë që është duke e bërë në Ukrainë, atëherë ajo është një porosi për agresorët e mundshëm kudo se ata mund të shpëtojnë duke vepruar ashtu, gjithashtu”- tha kryediplomati amerikan në forumin e mbajtur në Indi, ku morën pjesë edhe ministrat e vendeve të Grupit të Quadit.

Të enjten në kryeqytetin indian, Blinkeni u takua për herë të parë që nga fillimi i luftës në Ukrainë me homologun rus, Sergei Lavrov. Gjatë takimit të shkurtër, sekretari amerikan i bëri thirrje Moskës që t’i japë fund luftës dhe ta ndryshojë vendimin për pezullimin e traktatit bërthamor, “New Start”, tha një zyrtar i lartë i ShBA-së.

Në anën tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme e Rusisë tha se Lavrovi dhe Blinkeni kanë biseduar për më pak se dhjetë minuta dhe se nuk janë përfshirë në negociata, sipas raportimit të agjencive ruse të lajmeve.

Në samitin e Grupit G20, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre u bënë thirrje disa vendeve që ta vazhdojnë presionin ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës, por ky grup nuk arriti pajtueshmëri për një deklaratë të përbashkët për luftën për shkak të kundërshtimit të Rusisë dhe të Kinës.

Të premten, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i bëri thirrje komunitetit global që të punojë së bashku. “Kushdo që është duke abstenuar në disa rajone të ndryshme, duhet të kuptojë se ne jemi duke u ballafaquar me diçka që e thyen mundësinë e të pasurit një konsensus botëror”- tha ai.

Lajme të ngjashme