Bideni dhe Scholzi do të zhvillojnë sot bisedime konfidenciale për Ukrainën në Uashington
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, do ta presë të premten në Uashington kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me të cilin do të zhvillojë bisedime konfidenciale për luftën në Ukrainë pas rritjes së shqetësimit që Kina mund t’i ofrojë armë Rusisë.
Kancelari gjerman u nis të enjten vonë për vizitë njëditore në Shtetet e Bashkuara. Në këtë vizitë, jo siç ndodh zakonisht, ai nuk do të shoqërohet nga një grup gazetarësh, raporton gazeta “The Guardian”.
Dy udhëheqësit do të takohen për rreth një orë në Shtëpinë e Bardhë dhe në këtë takim do të përfshihet një bisedë në katër sy, tha një zyrtar i lartë amerikan, me ç’rast ata do të mund të shkëmbejnë mendime për takimet e fundit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe për gjendjen e luftës në Ukrainë.
“Të dy udhëheqësit kanë dëshiruar që ky të jetë një takim i nivelit të punës, kanë dëshiruar që të jetë shtjellim i shumë çështjeve, i përqendruar në çështjet e Ukrainës”- shtoi zyrtari amerikan.
Shtetet e Bashkuara janë duke u konsultuar me aleatë të ngushtë për mundësinë e vendosjes së sanksioneve të reja ndaj Kinës, nëse Pekini i ofron përkrahje ushtarake Moskës në luftën e saj në Ukrainë, sipas katër zyrtarëve amerikanë dhe disa burimeve të tjera.
Konsultimet, të cilat ende janë në fazën preliminare, e kanë për qëllim shtimin e përkrahjes nga një varg shtetesh, sidomos nga ato që janë pjesë e Grupit G7, ndaj mbështetjes së bashkërenduar të kufizimeve të mundshme, raporton agjencia “Reuters”.
