Rusia e godet Ukrainën me raketa në veri, jug, perëndim e qendër, pesë të vrarë në Lviv
Rusia e ka sulmuar me raketa Ukrainën në pjesë të ndryshme të vendit, nga Kharkivi në veri te Odesa në jug e Zhytomyri në perëndim. Raportohet për pesë të vrarë në Lviv.
Disa ndërtesa e infrastruktura u goditën në Kharkiv e Odesa, me ç’rast pati ndërprerje rryme në disa zona. Raportohet për sulme edhe në kryeqytetin Kiev, raporton televizioni BBC.
Guvernatori i Lvivit, Maksym, Kozytskyi, tha se pesë persona janë vrarë nga sulmet e mbrëmshme.
Furnizimi me rrymë në centralin bërthamor në Zaporizhia, i cili kontrollohet nga rusët, është humbur.
Shërbimet emergjente në Kiev janë në vendet e shpërthimeve në distriktet perëndimore e jugore të kryeqytetit, ku kryetari Vitaly Klitschko, tha se kanë ndodhur shpërthime.
Sipas tij, disa vetura ishin duke u djegur në oborrin e një ndërtese banimi dhe ai u bëri thirrje njerëzve që të qëndrojnë në strehimore.
Një sulm masiv me raketa goditi një objekt energjetik në qytetin bregdetar, Odesa, duke shkaktuar ndërprerje rryme, sipas guvernatorit Maksym Marchenko. Ai shtoi se janë goditur edhe disa zona banimi, por nuk raportohet për pasoja në njerëz.
Udhëheqësi i administratës rajonale në Kharkiv, Oleg Synegubov, tha se rreth 15 sulme i kanë goditur qytetin dhe rajonin e tij, me ç’rast janë vënë në shënjestër objektet e infrastrukturës kritike dhe ndërtesat e banimit.
Në mesin e rajoneve të tjera që u goditën nga sulmet, përfshihen Vynnetsia dhe Rivne në perëndim, si dhe Dnipro e Poltava në pjesën qendrore të vendit.
Drejtoresha për Inteligjencë Kombëtare e ShBA-së, Avril Haines, sugjeroi të mërkurën se presidenti rus, Vladimir Putin, mund të jetë duke planifikuar që ta vazhdojë luftën me vite, por se Rusia nuk është mjaftueshëm e fuqishme për të kryer ofensiva të mëdha këtë vit.
