Rrustemi i VV-së injoron kritikat e BE-së: Tri ligjet përmbushin standardet më të mira ndërkombëtare
Lëvizja Vetëvendosje po insiston në kalimin e tri projektligjeve - ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Projektligjit Këshillin e Pavarur të Mediave – pavarësisht kritikave nga Bashkimi Evropian se ato nuk janë në përputhje me standardet e kërkuara.
Opozita kërkoi mocion për largimin e tyre, megjithatë, sipas deputetit Adnan Rrustemi të njëjtat duhet të kalohen.
“Janë tri projektligje të ndryshme nga natyra…duhet ta themi një gjë, nuk mund t’i kërkohet tërheqjen e këtyre projektligjeve nga rendi i ditës, ne jemi kundër pa dyshim, dhe qëndrojmë prapa qoftë propozimeve nga qeveria, qoftë amandamenteve nga komisionet.
Tri ligjet kanë ndjekur secilën procedurë, secili deputet ka pasë mundësinë të bëjë propozime, vërejtje e sugjerime. Deputetët e opozitës s’bëjnë asnjë vrejtje, asnjë kundërshtim, as propozim, vijnë në seancë me një mocion ku kërkojnë të tërhiqen tri projektligjet nga rendi i ditës.” – tha ai.
Madje, sipas tij, tri projektligjet përmbushin standardet më të mira ndërkombëtare.
“Të trijat, përmbushin standardet më të mira ndërkombëtare, janë përgjigje ndaj fenomneve shqetësuese në Kosovë, ftojmë deputetët të ecim tutje me shqyrtimin dhe miratimin e tyre.” – tha ai.