Rrush me kontrata të negociuara: Arrin në mbi 116 milionë vlera deri tani
Në vitin 2023, shuma e përgjithshme e kontratave të negociuara, ka arritur në mbi 116 milionë euro. Kështu bën me dije sot INPO. Shpjegimi më i shkurtër nga njohësit e çështjeve ekonomike për këto lloj kontratash është ky: tenderë për ‘dosta’.
Raporti i Komisionit Evropian pati nxjerr një të dhënë mjaft shqetësuese sa i përket kontratave njëburimore, apo tenderëve të negociuar.
Vlera e tyre sipas raportit, ishte 78 milionë euro. Por kjo e dhënë, është vetëm për vitin 2022.
''Në vitin 2022 janë nënshkruar 10290 kontrata publike në vlerë prej 559 milonë euro, 20.8% e tyre janë të negociuara duke anashkaluar procedurat e prokurimit publik sipas ligjit”, thuhe në Raportin e Vendit(faqe 72).
Për vitin 2023, kjo shumë është rritur dhe shkon në mbi 116 milionë euro.
Vitin e kaluar, janë lidhur 554 kontrata me procedutë të negociuar. Për të kuptuar shkurt, këto lloj kontratash janë kontrata jo transparente, diskrimunese dhe që nuk garantojnë për vlerën e parasë.
Iniciativa për Progres, INPO, ka publikuar një grafikë me informata lidhur me këto lloj kontratash.
“Vlera e kontratave të lidhura sipas procedurës së negociuar pa publikm e njoftimit për kontratë është 116,343,970,83 euro”, shkruan INPO.
Në përqindje, sipas INPO-së, i bjen që 14.5% e kontratave totale, janë dhënë në këtë formë.

Vlera e kontratave në tri vitet e fundit
Nga viti në vit, shuma e këtyre lloj kontratave është rritur tej mase. Në vitin 2021, janë mbi 50 milionë euro kontrata të negociuara. Një vit më pas, në vitin 2022, kjo shumë arrin në mbi 78 milionë euro dhe në vitin 2023, u rrit për mbi 37 milionë euro.
Kur Raporti i Progresit kishte evidentuar këtë problem, deputetja e LDK-së znj.Hykmete Bajrami, me një fjali pati sqaruar se çka nënkuptojnë këto lloj kontratash.
“Kontrata të negociuara i bjen me thirrë dikë që e njehë në telefon, me ftu në zyre dhe me ja dhanë një kontratë disa milioneshe”, do të shkruante Bajram.
Sipas saj, kjo nënkuptonte se në Qeverinë Kurti, fjala ‘korrupsion’ po zëvendësohet me fjalën ‘efikasitet’.
“Me çfarë termi të moderuar e kemi zavëndësu fjalën korrupcion këto 3 vitet e fundit?
EFIKASITET!!!”, shkruante ajo.
Kjo çështje ishte diskutuar edhe në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.
Në një prej mbledhjeve të Komisionit ku diskutohej kjo çështje, pati munguar ministri Liburn Aliu.