Rrumbullakësohet: Pas Rilindit në RTK, VV-ja e dërgon edhe Aliun në KPM - NACIONALE

Rrumbullakësohet: Pas Rilindit në RTK, VV-ja e dërgon edhe Aliun në KPM

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot gjatë ditës, pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje e votoi Luljeta Aliun, analiste e afërt me LVV-në, si anëtare të re të Komisionit të Pavarur të Mediave, një ngjarje që u kritikua gjerësisht nga opozita e ndërkombëtare. Por kjo nuk është hera e parë që pushteti synon ta shtrijë ndikimin e tij në sferën mediale. Qe pse?

Në fundin e vitit 2021, Kuvendi i Kosovës, ku shumicën e ka VV-ja, e votoi Bordin e RTK-së, televizioni i vetëm publik. Aty u zgjodh kryetar Besnik Boletini. Por deri këtu asgjë skandaloze për të raportuar. Por me kalimin e kohës, ky bord nxori disa vendime që u kritikuan gjerësisht.

Por me shumë gjasë vendimi më i debatuar (dhe njëherit më i kritikuar) ishte ai për emërimin e Rilind Gërvallës, aktivist i LVV-së, si drejtor i televizionit për kanalet shqip (RTK 1, 3 dhe 4). Një veprim i tillë, u kritikua nga opozita dhe ndërkombëtarët.

Përmes një komunikate për medie, PDK-ja opozitare vlerësoi se

“Në vazhdën e kapjes së secilit institucion të pavarur në Kosovë, kryeministri Albin Kurti në koordinim të ngushtë me partneren e tij, presidenten Vjosa Osmani, tash e disa muaj kanë nisur instalimin e militantëve të tyre në Radio Televizionin Publik të Kosovës. Kapja e RTK-së nga kryeministri Albin Kurti me mbështetjen e presidentes Vjosa Osmani ka filluar që nga zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së, të cilët tani po i përdorin për realizimin e planit politik të partisë në pushtet për instalimin e militantëve në pozita drejtuese, duke kulmuar sot me emërimin e militantit Rilind Gërvalla si drejtor i Televizionit Publik.” – thuhej në reagimin e PDK-së.

Njëjtë kritik ishte edhe LDK, e cila e kundërshtoi këtë veprim të pushtetit.

Por LVV-ja nuk u ndal me kaq. Sot ajo e votoi për anëtare të KPM-së, një institucion shumë i rëndësishëm për sferën televizive në Kosovë, Luljeta Aliun, e cila është një përkrahëse e VV-së. Ajo mori 48 vota në Kuvend, mjaftueshëm për t’u bërë anëtare në KPM, por sërish pati ankesa.

Lideri i parë opozitar që ka reaguar për votimin në Kuvendin e Kosovës të Aliut është Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, i cili përmes një postimi në Facebook, theksoi se ky emërim tregon se Qeveria Kurti e ka për mision pengimin e fjalës së lirë.

“Me emërimin e Luljeta Aliut si anëtare në Komisionin e Pavarur për Media, një militante e deklaruar politike e Vetëvendosjes, kjo Qeveri dëshmoi edhe një herë se është në mision për të penguar fjalën e lirë duke synuar kapjen e mediave. Media e lirë dhe e pavarur është një nga platformat e rëndësishme jopolitike, e cila, përveç që informon qytetarët, monitoron dhe mban përgjegjës pushtetin në raport me politikat dhe veprimet që bien ndesh me ligjin dhe qeverisjen e mirë.” – shkroi ai.

Ndërsa deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, e “përgëzoi” në mënyrë ironike VV-në për politizimin e KPM-së.

“Përgëzime edhe njëherë Lëvizjes Vetëvendosjes, për politizimin e KPM-së, duke përzgjedhur sot, si anëtare të këtij Komisioni përkrahësen dhe militanten e tyre, znj. Luljeta Aliu. Tejet shqetësuese se deri ku ka shkuar niveli i këtij pushteti dhe çfarë është në gjendje të bëjë për të kapur secilin institucion për ta ushtruar ndikimin e tij.” – shkroi ajo.

Për këtë çështje kanë reaguar edhe ndërkombëtarët. Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) shkroi në lidhje me votimin e Aliut si anëtare e KPM-së, duke thënë se në lidhje me këtë rast, ata do ta lajmërojnë edhe Këshillin e Evropës.

Sipas reagimit të ECPMF-së, të shpërndarë në Facebook, Aliu në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si e pavarur.

“Aliu rregullisht dhe publikisht e ka përkrahur Lëvizjen Vetëvendosje dhe politikat e tyre. Në asnjë mënyrë ajo nuk mund të konsiderohet e pavarur. Në dritën e aplikimin së Kosovës për anëtarësim, ne do të iniciojmë menjëherë shkëmbimin me Këshillin e Evropës dhe PACE për t'i informuar ata për këtë zhvillim shqetësues që do të ketë ndikim të madh në pavarësinë e KPM-së.” – thuhet mes tjerash në reagim.” – thuhet në këtë reagim.

Lajme të ngjashme