Rrëmbimi i tre policëve kosovarë, MB-ja serbe: Nuk kemi qenë të përfshirë
Në lidhje me rrëmbimin e tre pjesëtarëve të policisë kosovare që ndodhi në mesditën e së mërkures brenda territorit të Republikës së Kosovës nga njësitet speciale serbe, ka reaguar Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, për çka pretendon se njësitet speciale ushtarake të saj “nuk kanë qenë të përfshira”. Kjo pasi ishte vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, deklaruan se në këtë operacion “ishin njësiti special i ushtrisë së Serbisë ‘Kobra’”.
Ministria e Mbrojtjes së Serbisë deklarimet e qeverisë kosovare i quan “vazhdimësi e fushatës së gënjeshtrave, manipulimit dhe dhunës së paligjshme të kryer ndaj serbëve të Kosovës” ndërsa thotë se i përket Zonës së Sigurisë, siç thonë ata, “operojmë në përshtatje të plotë me Rezolutën 12/44 dhe Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake”.
Kurti dhe Sveçla, mëngjesin e së premtes pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare dolën në një konferencë për media ku thanë se në këtë operacion kidpanimi ishin të përfshirë edhe ushtria serbe.
“Beogradi ndërmori një hap të turpshëm, të papranueshëm, të dënueshëm duke rrëmbyer 3 zyrtarë tanë të policisë. Rrëmbimi i ndodhur ditën e djeshme është kryer sipas një plani të planifikuar nga njësiti special antiterror, siç njihet atje ‘SAI’, dhe njësiti special i ushtrisë së Serbisë ‘Kobra’, në zonën kufitare Bare Tresavë, në komunën e Leposaviçit”, ka thënë Sveçla.
“Unë ditën e djeshme kam vizituar lokacionin ku ka ndodhur ngjarja, i cili ndodhet rreth 1 kilometër brenda kufirit tonë. Bëhet fjalë për një rrugë ku më herët ka pasur kontrabandë dhe pikërisht ajo rrugë është bllokuar nga ana jonë. Pra rruga është e ndarë në mes me gropë, dy nga këto, një pas një. Dhe ka qenë e pamundur që policët të kalojnë në territorin e Serbisë ashtu siç propaganda e Beogradit thotë. Kjo është pastër një deformim i ngjarjeve në terren për t’i ikur përgjegjësisë së tyre, realisht planit të tyre për rrëmbim”, tha mes tjerash ai.