Rrëfim i rrallë për betejën e parë frontale të UÇK-së: Si luftonte i plagosur Shkëlzen Haradinaj
24 marsi shënon një datë me shumë të përbashkëta për historinë e Kosovës. Kjo datë e vitit 1998 shënoi betejën e frontale të UÇK-së me forcat serbe në Dukagjin. E 24 marsi i 99-ës shënoi përgjithmonë kapitullimin e forcave serbe të kryesuara nga kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Në 24-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, gazeta Nacionale sjell një rrëfim të padëgjuar me historitë e personave që ishin direkt të përfshirë në luftimet e para 24 vitesh.
Me cigare në dorë, e në pritje të gotës me çaj. E pikërisht çajtorja është vendi ku Zeqë Mustafës i rikthehen në kujtesë momentet e dhimbjes, por edhe të lavdisë. Betejën e parë të UÇK-së me forcat serbe në Dukagjin, ai e mban mirë në mend. Mustafës i kujtohen edhe plumbat e parë që prishën qetësinë e Gllogjanit.
“Përhajr që nisi dasma”, i kujton Zeqë Mustafa fjalët e para të gruas, pasi Haradinajt pak metra më lartë kishin nisur luftën me ushtrinë serbe. “Këtu filloi, ndaq për gëzim, ndaq për hidhërim”, i kujton Zeqa fjalët e bashkëshortes së tij.

Megjithatë, historia e këtij të moshuari nga Gllogjani i Deçanit është e mbushur me rrëfime. Për gazetën Nacionale ai ka treguar si bashkëshortja e tij e kishte ndihmuar Shkëlzen Haradinajn, pasi ishte plagosur nga serbët.
“Gruaja jem Ajshja, për 7 javë ditë e ka ushqy dëshmorin Shkëlzen Haradinajn përmes një kashte të grurit me i depërtu qumështi i deleve në gojë, sepse plagët i kishte pasë në fytyrë dhe nuk mund të ushqehej. Mas 7 javë ditë, Shkëlzeni pa u shëru hala mirë çohet e i bashkohet sërish luftës”, rrëfen Zeqë Mustafa.
Megjithatë, kulla e Zeqës ishte kthyer në vend ku trajtoheshin të gjithë të plagosurit, jo vetëm Shkëlzeni. Dikush në front e dikush në shtëpi, kontribuonin në mënyra të ndryshme që radhët e UÇK-së të mos dobësoheshin.
Një moment të paharrueshëm Zeqë Mustafa e tregon që i kishte ndodhur pikërisht me Shkëlzen Haradinajn, pak ditë para se të niste lufta në këtë anë.
“Unë kam qenë bari delesh. Bashkë me Shkëlzenin i dërgonim kopetë në bjeshkë. Nuk e harroj, bash asnjëherë. Shkëlzeni më pat thënë zvogëloje tubën e deleve se deri në shën gjergj kur të vjen, se diçka bëhet. Sigurisht për luftë e ka pasë”, tregon tutje Zeqa, në ndërkohë i arriti edhe çaji.

Përderisa në çajtoren që e udhëheqë djali i Zeqës, gjithashtu i plagosur në luftë, vazhdojnë të vijnë të moshuarit e fshatit, ai nuk hezitoi të na tregojë edhe disa detaje. Ai e kujton momentin kur motra e komandantit Ramush Haradinajt, u kishte shkuar në konak për t’u treguar se lufta kishte nisur.
“Mejremja, çika e madhe e Ilmi Haradinajt pat’ ardhë në konakun tonë. Ka komuniku me radio-lidhje me babën e vet. Kanë ardhë krejt familja Haradinaj te shpia jonë. Ilmiu i shpërndau djemtë nëpër pikat e luftës, edhe tha ia nisi dasma”, rrëfen Zeqë Mustafa.
Në këto beteja u plagos edhe djali i Zeqës, Agroni. Megjithatë, krejt kjo sakrificë, vetëm sa kishte nxitur të tjerët që pa hezitim t’i bashkohen radhëve të UÇK-së.
“U formua shtabi i parë në Dukagjin e interesimi ka pas’ qenë i madh, ku UÇK-së iu bashkuan afër 200 ushtarë. Ushtarë kemi pas boll, por armatim jo”, përfundon tregimin Zeqa.
Në këtë betejë u vranë tre dëshmorët e parë të UÇK-së të kësaj ane, përderisa ishin në rrugë për të shkuar drejt shkollës për t’i mbrojtur nxënësit. E ky krim, do të shërbente si motiv për të tjerët, që mos të dorëzohen kurrë pavarësisht fuqisë së armikut.
Rrëfimi i ciceronit të Kompleksit ne Gllogjan
Megjithatë, jo të gjithë kanë rrëfime sikur Zeqë Mustafa. Megjithatë, për krejt historinë e Epopesë së Dukagjinit, të gjithë të interesuarve mund t’ua rrëfejë ciceroni në Kompleksin e Gllogjanit, Xhafer Sejfijaj.
Sejfijaj ka treguar për gazetën Nacionale se në kompleksin memorial janë të varrosur gjithsej 82 dëshmorë.

“Dëshmorët e parë të Epopesë së Dukagjinit ishin Gazmed dhe Agron Mehmetaj, Himë Haradinaj të tre nga Gllogjani të cilët ranë heroikisht në ndihmë të nxënësve të shkollës fillore në Gllogjan. 130 nxënës ishin marrë peng nga forcat serbe, poashtu edhe 13 banorë të fshatit, të cilët përdoreshin si mburojë nga policët serbë në ditën e 24 marsit“, tregon ciceroni.
Sejfijaj ka treguar se interesimi nga qytetarët për ta ditur historinë e Epopesë së Dukagjinit është mjaft i lartë. Ai një rrëfim që ua jep qytetarëve, vendosi t’ia tregojë edhe Nacionales.
“Pas ofensivës që kishte ndodhur me datë 5, 6 dhe 7 mars të 98- ës në Prekazin e lavdishëm kundër familjes Jashari, më 5 mars, pjesëtarët e UÇK-së të udhëhequr nga komnadant Ramush Haradinaj, kanë kryer 22 aksione hakmarrëse ndaj trupave serbe. Forcat serbe nuk erdhën rasisht me 24 mars në Gllogjan, por arsyeja e tyre ishte hakmarrja ndaj familjes Haradinaj që të bëhet një masakër edhe ma keq se në Prekaz“, rrëfen ciceroni.
Nga fshati Gllogjan janë 24 dëshmorë, përderisa është edhe një vajzë e zhdukur.
“Vajza e Sadik Mustafës është zhdukë në muajin prill të 99-ës duke shkuar për Shqipëri, gjatë dëbimit të popullatës nga forcat serbe me dhunë drejt Shqipërisë”, përfundon rrëfimi i ciceronit.
Kujtojmë se 24 marsi 1998 tradicionalisht shënohet si dita e fillimit të luftës frontale në zonën e Dukagjinit. Betejë e cila ishte vazhdimësi e shumë aksioneve të UÇK-së, që çuan deri në bombardimet nga NATO, dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës.