Ron DeSantis thotë se përfshirja e mëtejme e ShBA-së në Ukrainë s’është interes jetik kombëtar - NACIONALE

Ron DeSantis thotë se përfshirja e mëtejme e ShBA-së në Ukrainë s’është interes jetik kombëtar

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Guvernatori i Floridës, i cili po e synon garën për president të Shteteve të Bashkuara, Ron DeSantis, ka thënë se “ngatërrimi i mëtejmë në një mosmarrëveshje territoriale mes Ukrainës dhe Rusisë” nuk është interes jetik kombëtar i ShBA-së.

Sipas sondazheve për opinionin publik, DeSantis-i është rreziku më i fuqishëm ndaj ish-presidentit Donald Trump për t’u nominuar nga Partia Republikane si kandidat për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, raporton agjencia “Reuters”.

Gazetari i televizionit “Fox News”, Tucker Carlson, të hënën i publikoi përgjigjet e kandidatëve republikanë dhe kandidatëve të mundshëm për nominimin e partisë për zgjedhje në një pyetësor për luftën në Ukrainë.

“Përderisa ShBA-ja ka shumë interesa jetike kombëtare... ngatërrimi i mëtejmë në një mosmarrëveshje territoriale mes Ukrainës dhe Rusisë nuk është njëri prej tyre”- tha DeSantis në përgjigjen e tij.

“Financimi virtual me “çek bosh” nga administrata e Biden-it i këtij konflikti për “aq gjatë sa të nevojitet”, pa ndonjë objekti të përcaktuar ose llogaridhënie, shpërqendron nga sfidat më urgjente të vendit tonë”- tha ai.

Administrata e Biden-it ka ndarë miliarda dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën dhe i ka rreshtuar partnerët ndërkombëtarë në anën e shtetit që Rusia filloi ta pushtonte para më shumë se një viti.

Ish-presidenti Trump, kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara duhet ta përkrahin ndryshimin e regjimit në Rusi, shkroi: “Jo. Ne duhet ta përkrahim ndryshimin e regjimit në Shtetet e Bashkuara, kjo është shumë më e rëndësishme. Administrata e Biden-it është ajo që na futi ne në këtë rrëmujë.”

Lajme të ngjashme