Roja e pushtetit: A po e flet Surroi atë që Qeveria Kurti po e mendon për Manastirin e Deçanit? - NACIONALE

Roja e pushtetit: A po e flet Surroi atë që Qeveria Kurti po e mendon për Manastirin e Deçanit?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presioni për zbatimin e vendimit për tokat e Manastirit të Deçanit është riaktualizuar. Ambasadorë të ndryshëm kanë bërë thirrje që të përfundojë ky proces, që u legjitmua nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Ditë më parë, Nacionale mësoi se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, është zbutur në lidhje me çështjen e tokave për Manastirin e Deçanit.

Përveç burimeve të Nacionales, ka edhe një arsye publike, që mund të lexohet si parapërgatitje e opinionit kosovar për këtë temë. Veton Surroi, këshilltar i jashtëm në Qeverinë Kurti, e shkroi një shkrim, në të cilin zbatimin e vendimit për tokat e Manastirit të Deçanit e quajti si pikë-kthese për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian.

Në shkrimin e titulluar “Manastiri i Deçanit si pikë kthese”, Surroi shkroi se tokat i takojnë këtij manastiri që menaxhohet nga Kisha Ortodokse Serbe.

“Pra, nuk do të ketë më kontestim juridik të kësaj çështjeje; toka i përket Manastirit të Deçanit. Dhe, këtë në një formë e ka pranuar edhe Agjencia Kadastrale e Deçanit duke regjistruar katër prona që janë përligjur si prona të Komunës së Deçanit ashtu siç kanë vërtetuar të gjitha instancat juridike, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese. Meqë është kështu, atëherë i mbetet Agjencisë Kadastrale të Deçanit ta regjistrojë edhe pjesën tjetër të marrëveshjes së përligjur në të gjitha instancat juridike, atë ku në këmbim të katër parcelave që Manastiri ia jep Komunës i mbeten 24 hektarët e pyllit dhe arave.” – shkroi ai.

Tutje, Surroi i renditi tri arsye se pse dhënia e tokave për Manastirin e Deçanit është pikë kthese. Arsyeja e parë, sipas Surroit, tregon se Kosova është vend ku sundon ligji.

“Regjistrimi i pronës së Manastirit duket tashmë pika e kthesës për Kosovën në shumëçka. S’do mend, e para ka të bëjë me sundim të ligjit: agjencitë shtetërore duhet t’iu binden vendimeve gjyqësore, për më tepër atyre të instancës më të lartë siç është Gjykata Kushtetuese, dhe Agjencia Kadastrale e Kosovës së bashku me atë të Deçanit, që i nënshtrohet kësaj të nivelit shtetëror, duhet ta zbatojnë këtë vendim.” – shkroi ai.

Arsyeja e dytë, gjithnjë sipas Surroit, duket të jetë më metafizke: respekti dhe siguria.

E dyta ka të bëjë me ndjenjën e respektit të ndërsjellë e të sigurisë juridike që duhet ta kenë mes vete autoritetet e Kosovës me vëllazërinë e Manastirit të Deçanit e të Kishës Ortodokse Serbe në përgjithësi.” – shkroi Surroi.

E arsyeja e tretë? Surroi e lidh zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese me hapjen e shtegut të Kosovës drejt integrimit evropian.

“Dhe, e treta, regjistrimi i pronës mund të jetë pikë-kthesa për një aspiratë evropiane të Kosovës. Në hapat përfundimtarë të procesit të shqyrtimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, regjistrimi i pronës së Manastirit të Deçanit do të ishte një shenjë tejet e nevojshme për përkushtimin e Kosovës si në sundim të ligjit ashtu edhe për ndërtimin e mirëbesimit mes kulturave e religjioneve të saj. Pa këtë sinjal të Kosovës nuk mund të bëhet asnjë hap përpara për anëtarësim në Këshill të Evropës.” – shkroi ai.

Duket se Surroi po e thotë atë që Qeveria Kurti po e mendon. Në këtë kontekst, Surroi po shërben si një matës i pulsit të reagimeve të qytetarëve në lidhje me tokat e Manastirit të Deçanit. Ose thënë në një gjuhë surroiane, opinionisti Surroi po e luan rolin e “rojës”.

Megjithatë, deri më tani, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Nacionales nëse ka ndryshuar mendim.

Lajme të ngjashme