Rohde, njëzëri me Hovenierin: S'kërkojmë zbatim të Asociacionit, por dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese - NACIONALE

Rohde, njëzëri me Hovenierin: S'kërkojmë zbatim të Asociacionit, por dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Si një nga pikat e marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori gjerman Jorn Rohde theksoi në Tëvë1 se progresi me draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është thelbësor, duke paralajmëruar se dështimi për të avancuar në këtë çështje do të ketë pasoja, të ngjashme me përpjekjen e pasuksesshme të Kosovës për t'u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.

Rohde ripohoi rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke thënë se asnjëra palë nuk duhet ta shohë marrëveshjen si fitore ose humbje.

“Na duhet vullneti i nevojshëm politik për ta çuar deri në fund. Të mos shihet si situatë fitore apo humbje. Po bëra unë këtë edhe ata duhet të lëvizin. Si ambasador i Kosovës, unë përqendrohem në dëtyrimet që Kosova duhet të përmbushë. Dhe kjo ka të bëjë me draft-statutin e shumëpërfolur të Asociacionit. Ne publikisht kemi dhënë këshillat tona. Kanë qenë liderët, letra drejtuar qeverisë së Kosovës. Rruga përpara është të levizet në këtë, dhe nëse nuk lëviz ka pasoja. Këshilli i Evropës është një nga pasojat”, tha ai.

Rohde, duke cituar fjalët e mbrëmshme të ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, sqaroi se Gjermania nuk kërkon zbatimin e Asociacionit, por kërkon hapin fillestar; dërgimin e draft-statutit në Kushtetuese.

"Ne nuk po kërkojmë implementim të plotë të Asociacionit. Ne po kërkojmë për hapin e parë të dukshëm. Dhe ky është dërgimi i draftit në Kushtetuese. Siç tha kolegu im amerikan dje, është i vetmi institucion në këtë planet, që ka kompetenca të kontrollojë këtë draft-statut, asnjë tjetër", tha ai më tej.

I pyetur për Milan Radoiçiqin, kryeorganizatori i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, Rohde, ndonëse theksoi se një ekstradim potencial i tij në Kosovë është “jo-real”, tha se ish-nënkryetari i Listës Serbe duhet të jap llogari.

Ai paralajmëroi se marrëdhëniet e Gjermanisë me Serbinë do të komplikoheshin nëse Radoiçiq nuk ndiqet penalisht.

“Lideri i vetë-deklaruar i këtij grupi, Radoiçiq, ende është në arrati. Ne kemi thënë, e kemi përsëritur, që ai duhet të japë llogari. Ai është i caktuar në shumë vende, ku mbahet përgjegjës. Qartazi është shumë jo-real ekstradimi i tij, por qeveria ime e ka bërë të qartë, pasi ai është në Serbi, ai duhet të japë llogari aty, dhe derisa kjo nuk bëhet, kemi problem në marrëdhënien me Serbinë. Por, Serbisë i mbetet të bëjë këtë, dhe pritjet tona janë të qarta”, ka thënë Rohde.

Sa i përket masave të BE-së ndaj Kosovës, ambasadori gjerman rikonfirmoi qëndrimin e Gjermanisë; heqjen e tyre.

Megjithatë, ai bëri me dije se për largimin e tyre duhet të ketë pajtim të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

“Ne po punojmë në largimin e masave. Pozita e Gjermanisë është shumë e qartë. Masat duhet të largohen, së paku gradualisht. Por në BE, 27 vende duhet të arrijnë pajtimin. Dhe ky është proces që po vazhdon për momentin. Ne përkrahim largimin, dhe së dyti,Qeveria e Kosovës duhet të krijojë një frymë ku këto masa mund të largohen”, ka thënë Rohde.

Lajme të ngjashme