Rizvanolli s’e komenton arrestimin e kryeshefit të KEK-ut: “Uron” që prokuroria të punojë edhe për rastet e tjera - NACIONALE

Rizvanolli s’e komenton arrestimin e kryeshefit të KEK-ut: “Uron” që prokuroria të punojë edhe për rastet e tjera

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli nuk i ka komentuar shumë zhvillimet e ditës së djeshme, kjo pas arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili njëherit është edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Rizvanolli fillimisht në fjalën e saj para Kuvendit të Kosovës deklaroi se nuk kanë informacione zyrtare ende, derisa tha se do të presin para se të deklarohen.

“Në lidhje me rastin e basistjes së djeshme, ne si ministri nuk kemi marrë asnjë informatë zyrtare, do të presim informatat nga institucionet e drejtësisë para se të shprehemi dhe jemi në kontakt me bordin për zhvillimet atje.” – tha ajo.

Në pjesën tjetër të deklaratës së saj, Rizvanolli ka folur për ato që i konsideron si suksese të kësaj ndërmarrje përgjatë këtyre viteve, duke e përmendur edhe Krasniqin.

“Kriza energjetike në Kosovë është menaxhuar me efekte minimale te konsumatorët, kjo falë kryesuesit të Bordit, Skender Haziri dhe kryeshefit Nagip Krasniqi.” – tha ajo.

Ministrja tutje ka përmendur edhe disa raste që janë dërguar në Prokurori për rastin e KEK-ut, duke barazuar ato me arrestimin e kryeshefit dhe duke thënë se shpreson që “efiçenca e Prokurorisë të jetë e njëjtë në këto raste”.

“Mirëpo, në këto 17 raste të dërguara nga bordet apo menaxhmenti, apo ministria në rastin e KEK-ut nuk është ndërmarrë asnjë hap nga Prokurroia, uroj që dyshimet ndaj kryeshefit të KEK-ut, uroj që efiçenca e Prokurorisë të jetë e njëjtë edhe për raste të tjera që janë raportuar…” – ka thënë ajo.

Ndërkohë, Departamenti i Krimeve Ekonomike i Policisë së Kosovës zbarkoi gjatë ditës së djeshme në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kryen bastisje.

U bë e ditur se hetimet u kryen për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të një tenderi për remontin e Bllokut A5 të Termocentralit “Kosova A”.

Edhe më parë, Nacionale kishte raportuar gjerësisht në lidhje me shtyrjen e vazhdueshme të remontit në këtë bllok, derisa ka pasur shfajësime të ndryshme edhe nga zyrtarë të pushtetit përfshirë z. Besnik Bislimi.

Gazeta kishte mësuar që humbjet nga mosfunksionalizimi i këtij blloku ishin rreth një milion euro në ditë.

E gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës nisi bastisjen në ambientet qendrore Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë, ku më pas u mësua edhe për arrestimin e drejtorit ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

Një burim i mirinformuar i gazetës Nacionale brenda policisë ka bërë me dije se dyshimet ndaj Krasniqit kanë të bëjnë me kontratat për renovimin e kaldajave së bllokut A5.

Lajme të ngjashme