Rikthim në "pikën zero": Si u shkri rritja e LDK-së për t’u krahasuar me rezultatin më të keq në histori - NACIONALE

Rikthim në "pikën zero": Si u shkri rritja e LDK-së për t’u krahasuar me rezultatin më të keq në histori

7 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Nga 171.357 vota në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit 2025, Lidhja Demokratike e Kosovës pësoi regres drastik në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura vetëm njëmbëdhjetë muaj më vonë, më 28 dhjetor 2025. Një nga performancat më të dobëta të subjektit që nga viti 2021.

Brenda vitit 2025, partia zbriti në rreth 50 mijë vota, duke shënuar një rënie prej gati 5 pikë të përqindjes, kur kanë mbetur edhe një numër i vogël votash për t’u numëruar.

Për më tepër, nëse bëjmë një krahasim me pikën më të ulët të 14 shkurtit 2021, LDK-ja në dhjetor të vitit 2025 arriti të shtojë vetëm rreth 12 mijë vota mbi atë rezultat, që dëshmon stagnim serioz të bazës së saj elektorale në nivel qendror.

Ky "tërmet elektoral" pati kosto jashtëzakonisht të lartë në përfaqësimin politik të partisë në raport me legjislaturën jetëshkurtër të 2025-ës. Nga 20 ulëse sa gëzonte në legjislaturën e kaluar, grupi parlamentar i LDK-së pritet të reduktohet në vetëm 15 deputetë.

Periudha Subjekti Vota Përqindja
Shkurt 2021 LDK 110.985 12,73%
Shkurt 2025 LDK 171.357 18,27%
Dhjetor 2025 LDK 122.938 13,33%

Si pasojë e kësaj rënieje numerike, jashtë përbërjes së re të Kuvendit mbetën disa nga figurat më aktive dhe emrat më të njohur të legjislaturës së kaluar, përfshirë Arben Gashin, Alban Zogajn, Krenar Xhaferin, e të tjerë.

Megjithatë, paradoksi më i madh qëndron në krahasimin me zgjedhjet lokale të tetorit 2025, të mbajtura vetëm dy muaj para atyre parlamentare. Në tetor, LDK tregoi performancë relativisht pozitive duke grumbulluar plot 195.363 vota në nivel nacional, por dështoi ta kapitalizonte këtë mbështetje në garën për Kuvend në dhjetor.

Diskrepanca midis votës lokale dhe asaj qendrore është e thellë, veçanërisht në qendrat urbane. Në Prishtinë, partia pësoi një gërryerje masive, duke humbur mbi 10 mijë vota krahasuar me lokalen (nga 35.595 në 25.494).

Po aq alarmues ishte rezultati i dhjetorit në Pejë, ku u regjistrua një rënie prej 9.922 votash (nga 19.786 në 9.864), ndërsa Lipjani pësoi goditjen më të rëndë proporcionale, ku vota u përgjysmua duke rënë nga 15.382 në vetëm 6.259.

Tkurrje të ndjeshme pësuan edhe bastionet që tradicionalisht siguronin volume të mëdha votash. Gjilani shënoi një rënie prej 7.340 votash, Podujeva humbi 6.123 vota, ndërsa Istogu u reduktua nga 11.854 në 5.688 vota. Humbje të konsiderueshme u regjistruan gjithashtu në Fushë Kosovë (-4.518 vota) dhe Obiliq (-4.030 vota).

Në qytete të tjera, rënia ishte më e moderuar, por gjithsesi evidente, si në Suharekë ku u humbën 2.240 vota dhe Ferizaj me 1.541 vota minus. I vetmi përjashtim domethënës mbetet Prizreni, ku LDK arriti ta ruajë bërthamën e saj elektorale pothuajse të paprekur.

Lajme të ngjashme