Rihapja e Urës së Ibrit "për qëllime politike e zgjedhore", ambasadori italian: "Kemi dyshime"
“Qëllime tipike politike, simbolike dhe zgjedhore”.
Me këto fjalë ambasadori italian në Kosovë, Antonello De Riu, e ka vlerësuar krejt ‘qëllimin’, sipas tij, të qeverisë kosovare prapa lajmërimeve të fundit për hapjen e Urës së Ibrit; që u kumtua nga policia kosovare si “çështje kohe”.
De Riu – që kohëve të fundit ka qenë më i zëshmi në shprehjen e dyshimeve dhe brengave për ‘implikime në siguri’ rreth hapjes thjesht-ashtu të Urës së Ibrit – e tha në gjuhë të zhveshur nga komunikimi diplomatik se qeveria kosovare po përllogarit “elektoralisht” me këto vendime.
Duke folur në ‘Tëvë1’ ambasadori italian madje shpaloi se këtë vlerësim e ka ndarë edhe me qeverinë kosovare, teksa tha se Italia – që edhe ka forcat e saj ushtarako-policore (Karabinierët) duke patrulluar 24/5 Urën e Ibrit – “ka dyshime”.
“Ura nuk është e mbyllur, s’jemi në 2004’ën. Është e qarkullueshme qetësisht në këmbë. Ka qytetarë të etnisë serbe që shkojnë në pjesën jugore për të bëzë pazar, por ka edhe të jugut, shqiptarë, që shkojnë veri. Edhe unë eci lirshëm në atë urë, thjeshtë trafiku automobilistik nuk funksionon. Për këtë ka katër ura tjera funskionale…Unë mendoj se kjo është pikërisht ky shembulli klasik, që të marrim një shembull qysh është rihapja e urës me qëllime tipike politike, simbolike dhe elektorale. Këtu kemi dyshime të mëdha, i kemi shpreh si BE, OSBE, KFOR dhe urojmë që autoritete e Kosovës të i marrin parasysh, e jo siç nuk e ka bërë në rastet e tjera që të mos i lajmërojë miqtë e Kosovës”, ka thënë ai.
Edhe ditëve të fundit, De Riu rreth Urës së Ibrit iu drejtua qeverisë me mesazhin: “Shihni ka siguria”.
“Hapja e urës, siç është thënë edhe në nivel të Bashkimit Evropian dhe të Quint-it, duhet të jetë një akt i përbashkët përmes një operacioni të koordinuar me faktorët ndërkombëtarë. Prandaj, ajo që kërkojmë, si në shumë situata të tjera, është që të ketë koordinim me komunitetin ndërkombëtar”, kishte thënë ai për ‘KosovaPress’.
“Hapja e kësaj ure, duke pasur reflektime nën aspektin e sigurisë, sipas nesh duhet të vlerësohet me kujdes. Nuk jemi kundër hapjes së urës, por kërkojmë, si në shumë situata të tjera, që të ketë një koordinim me Bashkimin Evropian, me vendet e QUINT-it dhe me komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi”, thotë De Riu.
Nacionale ditë më parë vizitoi Urën e Ibrit për të parë nga afër një shtim të pranisë së karabinierëve italianë; dhe krejt kjo në dritën e këtyre lajmërimeve.
Vendimi nga politika
Kuvendi Komunal që e ka nxjerrë vendimin për hapjen e Urës së Ibrit (në prill të 2023) qe një vit s’ka marrë kurrëfarë përgjigje nga Ministria e Pushtetit Lokal e as Ministria e Brendshme, për çka Kryesuesi i atij institucioni thotë se tash “më ne nuk merremi me këtë çështje”.
Ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, kontaktuar nga Nacionale i kishte ikur përgjigjes duke thënë “nisma me e-mail të përgjigjem menjëherë”; por më kot, as menjëherë e as më vonë.
Krejtësisht në kundërthënie me veten, Krasniqi u shpreh që “nuk e di” ndonëse mu ato kohë (maj, 2023) ishte shprehur para gazetarëve se këtë vendim e ka në tryezë të tij dhe se “po kontrollojmë ligjshmërinë e vendimit”.
Deklarata në maj (2023) e Elbert Krasniqit: “Ky vendim është në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal në kontrollim të ligjshmërisë dhe proceseve administrative. Porsa të përfundojë ky vlerësim, ajo do të jetë në tryezën time dhe më pastaj unë do të vazhdojë me procedimin e tij”.
Kjo temë u rikthye në diskursin publik pasi Zëvendës Drejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, tha javë më parë se hapja e Urës së Ibrit “është çështje kohe”; por, pa specifikuar më tej se kur-dhe-qysh?
Mu atë ditë kontaktuam Kryesuesin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin për ta pyetur për vendimin e marrë nga institucioni që ai e drejton.
“Prej ministrisë kurrëfarë përgjigje nuk kemi marrë”, tha Ugljanin në një prononcim për Nacionalen, teksa na shpjegon se vendimi si i tillë ka kaluar në prill të 2023’ës.
Sipas Nenit 81, Pika 4 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, “autoriteti mbikëqyrës obligohet që të jep mendimin e tij për ligjshmërinë e çdo akti të regjistruar brenda 15 ditësh nga pranimi i tij, në pajtim me procedurat e përmendura më lartë”.
Por, çka ndodh nëse brenda 15 ditësh (janë bërë më shumë se një vit) autoriteti mbikëqyrës – në këtë rast MAPL-ja – nuk kthen përgjigje?
Vetë MAPL ka përpiluar rregullore për situtatë të tillë: “Në rast se organi mbikëqyrës nuk ia kthen shqyrtimin e ligjshmërisë aktit të komunës brenda 15 ditësh nga dita e pranimit...akti i komunës konsiderohet i ligjshëm”.