Rezultati në PISA, Opozita: Qeveria ka rënë nga provimi, PISA është fytyra e saj
Një ditë pas publikimit të rezultatit në testin PISA, opozita ka kërkuar përgjegjësi nga Qeveria e Kosovës për rezultatin e dobët që kanë arritur nxënësve kosovarë.
Zyrtarët e dy partive më të madhe opozitare kanë akuzuar Qeverinë se gjatë këtyre tri viteve nuk ka bërë asgjë për ngritjen e cilësisë në arsim.
Në një konferencë për media, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se në këtë qeveri nuk është bërë asnjë reformë në arsim.
“Nuk mund të presim përmirësim të cilësisë në Arsim, kur Qeveria Kurti me veprimet e saj ka vendosur në pikëpyetje kredibilitetin e pothuajse secilit mësimdhënës në Kosovë. Në vend se, t’u ofrojë mbështetje për zhvillim, të aftësive dhe shkathtësive të reja të kohës, siç kishte premtuar, e për të cilat fëmijët tanë kanë kaq shumë nevojë”, është shprehur.
Sipas saj, PISA është fytyra e vërtetë e kësaj qeveria.
“Çfarë na dëshmohet ne sot, është që nxënësit ngarkohen me libra e informata sasiore, por jo me zhvillim dhe përgatitje cilësore. Dhe kjo, i atribuohet kësaj Qeverie e cila pushtetin e ka marrë duke u thirrur në reformë, por me logjikën si kanë funksionuar këto tri vite, kanë dështuar jo vetëm ata, por ka dështuar edhe Kosova. PISA sot është pasqyra e vërtetë e qeverisjes së Albin Kurtit”, është shprehur ajo.
Edhe anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lishaku, ka fajësuar Qeverinë për rezultatin e dobët në PISA.
Në një konferencë për medie, ajo ka thënë se rezultat e testit janë tejet shqetësuese.
“Të dhënat janë tepër shqetësuese kur nxënësit e Kosovës tregojnë rezultat të dobët. Këto rezultate janë shqetësuese jo vetëm për ministrinë, për shkollat dhe përfitimet që i kanë nxënësit. Këtu shohim një dështim në mënyrën e bashkë-organizimit nga MASHTI të testit PISA. Ashtu siç janë bërë edhe testime të tjera që MASHTI ka dështuar si Ministri të adoptojë rrethanat ku nxënësit kosovarë do të tregonin performancë më të mirë. Kalueshmëria është tepër e dobët në testet tona kombëtare dhe këtu flasim për një dështim të vetë MASHTI-it në organizimin e testeve tona kombëtare çka flet që është krejt në diskrepancë me atë se sistemi arsimor për mënyrën se si realizohet mënyra e testimit”, ka thënë ajo.
Sipas saj, Qeveria asnjëherë nuk ka treguar se arsimi është prioritet i saj.
“Duhet të shohim se çka bën MASHT sot. Arsimi s’është prioritet i kësaj Qeverie. VV ka bërë thirrje për seanca të jashtëzakonshme. Pikërisht është VV që nuk tregon as kujdesin minimal sa i përket arsimit. Ju e keni parë që dy vitet e fundit arsimi në Kosovë ka filluar në mënyrë krejt dramatike. Fillimisht, mandati i kësaj ministre ka filluar me shkelje kushtetuese aty kemi kërkuar shkarkimin e saj”, është shprehur ajo.
Mungesa e objekteve shkollore
Zyrtarët e opozita ia kanë përmendur Qeverisë dështimet në ndërtimin e shkollave dhe çerdheve.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, ka thënë se Qeveria nuk ka mbajtur premtimet për këtë çështje.
“Po hyjmë në vitin e fundit të kësaj Qeverie, dhe 160 çerdhet e premtuara as afër nuk janë. As 10 sosh nuk janë ndërtuar. Nuk ka pasur asnjë reformë në Arsimin Fillor. Për më tepër, në vend që të bëjë reforma, zgjodhi që të luftoj nga njëra anë mësimdhënësit, e këtë vit nuk doli zot as obligimit kushtetutes dhe ligjor, që të siguroj falas librat për nxënësit e Kosovës”, është shprehur ajo.
Ndërsa, Jehona Lushaku-Sadiru e LDK-së ka përmendur mungesën e laboratorëve nëpër shkolla.
“Paramendojeni qindra miliona rrinë në suficit ndërkohë që në shkollat tona nuk ka banka ashtu siç duhet, s’ka karrige. Nuk ka laboratorë, nuk ka mjete konkretizuese. Qysh të performojë më pas nxënësit mirë se një mësim e mësojnë vetëm nga aspekti teorik dhe jo praktik. Kjo kallëzon shumë sa kjo Qeveri e ka prioritet arsimin dhe sa kjo qeveri e merr seriozisht cilësinë në arsim”, ka thënë ajo.
