Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit: Opozita zotohet për reflektim dhe riorganizim, VV-ja falënderon qytetarët që “s`lëshuan pe” - NACIONALE

Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit: Opozita zotohet për reflektim dhe riorganizim, VV-ja falënderon qytetarët që “s`lëshuan pe”

1 javë më parë

nga NACIONALE

Pas numërimit të të gjitha votave nga KQZ-ja, partitë politike kanë komentuar rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit. Në reagimet e tyre, subjektet politike kanë falënderuar qytetarët për mbështetjen.

Liderët e partive opozitare janë zotuar për reflektim dhe riorganizim pas këtyre zgjedhjeve, kurse VV-ja është lavdëruar me rezultatin historik që ka arritur në këto zgjedhje.

Ndër të parët që ka reaguar pas numërimit të votave të fundit ka qenë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

Ai ka bërë me dije se besimi i marrë në këto zgjedhje e obligon më shumë se kurrë që të riorganizojë partinë.

Numërimi i votave ka përfunduar. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 192,407 vota dhe është renditur e dyta. Këtë besim e marrim me përgjegjësi të madhe. Në një garë të vështirë dhe të pabarabartë, ruajtja e votës sonë është dëshmi se mijëra qytetarë besojnë në punën, seriozitetin dhe vlerat që PDK-ja i përfaqëson”, ka shkruar Hamza në profilin e tij në “Facebook”.

Ai është zotime për intensifikimin e veprimit politik.

Ky besim na obligon më shumë se kurrë që të riorganizohemi, t’i konsolidojmë radhët tona dhe ta intensifikojmë veprimin politik. PDK do të vazhdojë të punojë për çdo qytetar, pa dallim, në çdo platformë ku jemi të pranishëm, me këmbëngulje dhe me bindjen se Kosova meriton më shumë dhe më mirë. Faleminderit për besimin! Puna jonë vazhdon!”, ka shkruar ai.

Rezultati është komentuar edhe nga lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në profilin e tij në “Facebook”, Abdixhiku ka shkruar asnjë individ në këtë parti nuk i shmanget asnjë përgjegjësie dhe reflektimi.

Sipas tij, çështjet e LDK-së nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit.

LDK e asnjë individ nuk i shmanget asnjë përgjegjësie dhe asnjë reflektimi; kjo na dallon. Dalim faqebardhë në secilin veprim tonin. Por njëkohësisht, dua të jem i qartë: LDK është parti institucionale. Çështjet tona nuk zgjidhen në statuse emocionale, as në klithma sociale, e as në debate të çastit. Pas certifikimit të rezultateve, sipas Statutit dhe traditës sonë demokratike, do të mblidhet Kryesia e LDK-së; dhe pas saj, siç kam paralajmëruar natën e zgjedhjeve, do të organizohet dhe Kuvendi i LDK-së, aty ku vendosë anëtarësia, e jo klithmat e interesave të ngushta. Në Kuvend, në organet legjitime të partisë, nga anëtarësia e partisë, vendoset fati i LDK-së. Aty do të trajtohen të gjitha çështjet politike, organizative dhe vendimmarrëse - mbi të gjitha të përgjegjësisë dhe të vizioneve tutje përpara”, ka shkruar ia, duke dhënë detaje tjera.

Kjo është mënyra jonë. Kjo ka qenë gjithmonë LDK-ja: përgjegjësi, maturi, rend institucional dhe respekt për demokracinë e brendshme. Një fjalë të drejtpërdrejtë kam dhe për ata që sot po e godasin LDK-në nga jashtë: qëllimet e tyre nuk kanë qenë kurrë të mira, as për LDK-në e as për arritjen e një rezultati më të mirë zgjedhor. LDK-ja nuk ndërtohet me sulme nga jashtë, e as me gëzim për humbjen e saj. LDK është më e madhe se çdo individ, por edhe më e fortë se çdo zë që synon ta dobësojë. Ne do ta bëjmë fatin tonë, me qetësi, me ndershmëri dhe me përgjegjësi; siç i ka hije kësaj shtëpie politike e cila nuk braktiset e as nuk goditet në ditët e saja më të vështira”, ka shkruar ai.

Kurse, VV-ja ka falënderuar qytetarët që në këto zgjedhje nuk kanë lëshuar pe.

Në reagimin e kësaj partie është thënë se zgjedhjet e 28 dhjetorit kanë dëshmuar se kjo parti është subjekti më i votuar në histori të Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE! u konfirmua fuqishëm si subjekti politik më i votuar në historinë e Republikës së Kosovës. 486,994 vota – 51.11% të vullnetit qytetar. Faleminderit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që nuk lëshuan pe dhe votuan për siguri dhe begati. Faleminderit secilit për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për fitoren tonë të fuqishme në zgjedhjet e 28 dhjetorit!”, është thënë në reagimin e VV-së.

Sipas rezultateve preleminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 57 ulëse, me 51.11 për qind të votave, apo gjithsej 486,994 vota.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është renditur e dyta me 22 ulëse, duke marrë 20.19 për qind të votave, apo 192,407 vota.

Kurse Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 15 ulëse, me 13.23 për qind të votave, përkatësisht 126,102 vota.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka fituar 6 ulëse, me 5.50 për qind të votave, apo 52,370 vota.

Lista Serbe (Srpska Lista) ka siguruar ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.

Lajme të ngjashme