Rezoluta e Parlamentit Evropian: Masa ndaj Serbisë e të shqyrtohet ekstradimi i përgjegjësve për sulmin e Banjskës
Parlamenti Evropian e ka votuar sot rezolutën që dënon sulmi terrorist në veri të Kosovës. Në këtë tekst, përmenden edhe çështje të tjera si masat e dialogu. Çka thuhet konkretisht aty?
Eurodeputetët me shumicë votash sot kanë kaluar rezolutën për Kosovën në një seancë plenare. Rezoluta ishte propozuar nga pesë grupe të këtij institucioni të Bashkimit Evropian.
E njëjta, udhëzon presidenten e PE-së që dokumentin t’ia përcjellë edhe instancave tjera si Presidentit të Këshillit Evropian, Komisionit, kryediplomatit evropiane, qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare, si dhe autoriteteve të Kosovës e Serbisë.
Çka thuhet në rezolutë?
Një prej pikave të para të rezolutës, dënon fuqishëm sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, ku si pasojë, mbeti i vdekur zyrtari Afrim Bunjaku, tashmë hero i vendit.
“Dënon në termat më të ashpër të mundshëm sulmin e tmerrshëm dhe frikacak terrorist ndaj policëve kosovarë nga një bandë e armatosur serbe e përfshirë në një operacion të madh të kontrabandës së armëve në Banjska/Banjskë në veri të Kosovës, i cili la të vdekur një polic dhe dy të plagosur; u bën thirrje të gjitha shteteve anëtare të BE-së që nuk e kanë bërë një gjë të tillë që të dënojnë gjithashtu sulmin;” – thuhet në pikën e parë.
Serbisë, i kërkohet qartë që të bashkëpunojë në kryerjen e hetimeve për sulmin dhe t’i sjellë para drejtësisë terroristët që aktualoisht janë duke qëndruar në Serbi. Mes tjerash, kërkohet edhe ekstradimi i tyre në Kosovë.
“Pret që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me hetimet dhe t'i sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin që aktualisht janë duke banuar në Serbi në përputhje me ligjin dhe të shqyrtojë ekstradimin e tyre në Kosovë;” – thuhet në rezolutën e eurodeputetëve.
“Shpreh keqardhjen për faktin që gjykata e Beogradit refuzoi thirrjen e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Beogradit për ndalimin e Milan Radoiçiqit, për shkak të rrezikut të arratisjes së tij, duke pasur parasysh se Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit të 24 shtatorit 2023;” – shkruan në pikën e gjashtë.
PE-ja po ashtu ka kërkuar që të zbatohen plotësisht të gjitha marrëveshjet, duke përfshirë këtu edhe formimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Eurodeputetët i kanë bërë thirrje BE-së që t’i tërheq menjëherë masat ndaj Kosovës, dhe thekson rëndësinë e vendosjes së masave kundër Serbisë.
“I bën thirrje BE-së që të veprojë si ndërmjetës i ndershëm në procesin e normalizimit dhe të ndryshojë urgjentisht politikën e saj të qetësimit ndaj Serbisë; shpreh keqardhje për masat negative që Këshilli ka marrë kundër Kosovës dhe bën thirrje që ato të hiqen menjëherë; thekson rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për rolin e saj në sulmin e 24 shtatorit 2023 dhe nevojën për të vendosur masa negative kundër Serbisë;” – thuhet brenda rezolutës.
“Mbetet shumë i shqetësuar nga ndikimi destabilizues në të gjithë rajonin e autoriteteve serbe të udhëhequra nga presidenti Vuçiq; shpreh keqardhje për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së për autoritetet serbe dhe mungesën e kritikave të zëshme, megjithë mos-angazhimin e vendit me sanksionet e BE-së kundër Rusisë, takimet e vazhdueshme dhe të shpeshta të nivelit të lartë me autoritetet ruse, duke përfshirë në Rusi, rrëshqitjen demokratike të vendit dhe mungesën e progresi në reformat e saj në lidhje me BE-në dhe pavarësisht efektit destabilizues të politikave serbe për të gjithë rajonin;” – shkruan tutje.
