“Reuters” shkruan për paralajmërimet se puna e dinarit mund ta tensionojë veriun, komandanti amerikan: Ne jemi gati
Ushtarët amerikanë në Kosovë janë të pajisur mirë dhe janë në gjendje gatishmërie për ta parandaluar dhunën në veriun e Kosovës, ka thënë një komandant amerikan për “Reuters”, derisa situata atje vijon të jetë më e qetë, mes paralajmërimeve se vendimi i fundit për dinarin serb, mund të ndikojë në një tjetër përkeqësim.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, së fundi është përforcuar me një mijë trupa shtesë, pas sulmit të 24 shtatorit ku mbeti i vrarë zyrtari policor, Afrim Bunjaku.
Më shumë se 570 prej këtyre trupave, janë amerikanë, derisa totali arrin në 4 mijë e 500.
“Jemi të përgatitur mirë, të trajnuar mirë dhe të pajisur që të reagojmë ndaj gjithçkaje që mund të ndodhë këtu tani.” – ka thënë kolonel Ross Walker, komandat i ushtarëve amerikanë nga Garda Kombëtare e Ushtrisë së Tezas.
“Edhe pse qëndrojmë gati që të reagojmë për gjithçka, dëshira jonë është gjithmonë që t’i bëjmë gjërat me një bisedë paqësore fillimisht.” – është shprehur ai tutje.
Disa prej ushtarëve amerikanë që ndodhen në kampin pranë Leposaviqit, lëvizin duke mbajtur vetëm pistoleta, sipas mediumit, një shenjë kjo që gjërat janë qetësuar paksa.
Dinari
Megjithatë, “Reuters” përmend deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, i cili në dhjetor të vitit që lam pas ishte shprehur se persona të përkrahur nga agjencitë e sigurisë nëpër Serbi po trajnohen për të zhvilluar më shumë sulme ndaj vendit tonë.
Më tej, thuhet se diplomatët perëndimorë e disa analistë së fundi kanë paralajmëruar që tensionet mund të rriten edhe më shumë, pas vendimit për ndalimin e dinarit serb.
Shtetet perëndimore kanë bërë thirrje që Kosova ta shtyjë implementimin, derisa tutje shkruhet, se “një lëvizje e tillë ka nervozuar ShBA-të”, partnerin kryesor të Kosovës.
“Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere.” – ka thënë para pak ditësh Jim O’Brien, ndihmës sekretari amerikan.
Ndërkohë, pas kësaj deklarata të ashpër, pasoi një tjetër edhe më e rëndë nga ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili të enjten thirri konferencë për media mbi këto zhvillime.
Hovenier e demantoi kryeministrin Kurti dhe e bëri të qartë se tashmë marrëdhëniet mes ShBA-së dhe Kosovës janë ndikuar nga çështja e ndalimit të dinarit.
“Jam i shqetësuar që ka deklarata pas kësaj interviste të O’Brien, që sugjerojnë që marrëdhënia mes Kosovës dhe ShBA-së nuk është prekur dhe se nuk do të prekur nga kjo situatë, më duhet të jem i qartë që kjo thjeshtë nuk është e vërtetë. Kjo nuk është situata.” – ka thënë ai.
Për fund, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq aktualisht ndodhen të dy në Mynih, për Konferencën e Sigurisë.
Pavarësisht kësaj, nuk pritet të ketë një takim trepalësh. Kjo është konfirmuar nga kryediplomati evropian, Josep Borrell, i cili ka thënë:
"Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë [takimin Kurti-Vuçiq] diku tjetër”.