Reuters: Për më shumë se 20 vjet, Kosova burim tensioni midis Perëndimit e Rusisë - NACIONALE

Reuters: Për më shumë se 20 vjet, Kosova burim tensioni midis Perëndimit e Rusisë

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ndërsa situata me barrikadat në veri ka marrë vëmendjen e të gjitha medieve ndërkombëtare, edhe agjencia e lajmeve Reuters, i ka kushtuar një artikull të veçantë, duke e cilësuar vendin si burim tensionesh midis Perëndimit e Rusisë.

“Për më shumë se 20 vjet, Kosova ka qenë një burim tensioni midis Perëndimit, i cili mbështeti pavarësinë e saj, dhe Rusisë, e cila mbështet Serbinë në përpjekjet e saj për të bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara,” ka shkruar Reuters, ndërsa ka raportuar për të rejat e fundit në lidhje me situatën.

Në artikull është shkruar për deklaratën e përbashkët të BE-së dhe ShBA-së, ku u bë thirrje për përmbajtje maksimale dhe veprime për de-përshkallëzim të situatës.

“I bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të de-përshkallëzuar pa kushte situatën dhe të përmbahen nga provokimet, kërcënimet apo frikësimet”, thuhej në deklaratën e përbashkët të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara.

E Reuters po ashtu ka paraqitur qëndrimin e Kremlinit, që ka mohuar pretendimet e Kosovës se Rusia po ndikonte në Serbi për të destabilizuar Kosovën, duke thënë se Serbia po mbronte të drejtat e serbëve etnikë.

Ndër të tjera, agjencia po ashtu ka shkruar për zbutjen e masës ndaj Dejan Pantiq, duke thënë se vendimi i gjykatës ka zemëruar zyrtarët e qeverisë së Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e drejtësisë Albulena Haxhiu.

Lajme të ngjashme