“Reuters”-i shkruan për minatorët e Trepçës: Bëjnë iftar 800 metra nën tokë - NACIONALE

“Reuters”-i shkruan për minatorët e Trepçës: Bëjnë iftar 800 metra nën tokë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Minatori kosovar, Emin Hasani, ndihet më afër Zotit, kur bën iftar 800 metra nën tokë.

Reuters

Pas një ndërrimi të gjatë e dërrmues në thellësinë e minierës së Trepçës në Stantërg, në veri të Kosovës, Hasani e shikon orën për të marrë vesh se kur do të perëndojë dielli në sipërfaqe dhe nëse është bërë koha për të ngrënë.

Të ulur përreth një tavoline të vogël në një zyrë të improvizuar në minierë, ai dhe katër kolegë i nxjerrin hurmat, jogurtin, turshitë dhe djathin, të cilat i përcjellin me çaj të zi.

Burrat qeshin e bisedojnë mes vete gjatë iftarit të përbashkët, i ngrënë pas një dite agjërimi mes lindjes e perëndimit të diellit gjatë muajit të shenjtë të myslimanëve, Ramazanit.

“Unë jam gjithmonë i lidhur me Allahun, në kohë si tash, ku jemi 800 metra nën tokë. Sa më thellë që futem, aq më afër Allahut ndihem” – thotë Hasani.

Kosova është shtet me shumicë myslimane dhe qindra minatorë të minierave të plumbit, zinkut e argjendit po e mbajnë Ramazanin, nganjëherë duke duruar temperatura afër 40 gradëve e lagështi ekstreme.

“Agjërimi nuk është problem për ne, por mungesa e ajrit të pastër, pajisjeve, rrobave e këpucëve moderne janë problem i madh” – tha shefi i ndërrimit, Fehmi Hajredini.

Trepça punësonte mbi 22 mijë punëtorë në vitet e shtatëdhjeta e të tetëdhjeta dhe përbënte dy të tretat e prodhimit vendës bruto të Kosovës. Tani ka vetëm tre mijë punëtorë në minierë e objekte të tjera.

Çmimet e ulëta të mineraleve dhe tkurrja e prodhimit nënkuptojnë se kompania nuk mund t’i mbulojë kostot operuese dhe po kërkon subvencione qeveritare.

Në qytetin e Mitrovicës, pak më larg minierës, Bashkim Kurti, shef ekzekutiv i Trepçës, tha se ai është në bisedime me Qeverinë për një hua prej 20 milionë eurosh për përmirësimin e kushteve të punës dhe shtimin e prodhimit.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme