"Rënie investimesh"; "Deficit rekord tregtar"; "Migrim masiv": Mustafa 'shkund' pretendimet e Qeverisë për ulje të papunësisë
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, në një paraqitje në emisionin “Rubikon” të Klan Kosovës, demantoi në tërësi pretendimet e Qeverisë për rritje të punësimit përmes një sërë indikatorësh negativë që, në leximin e tij, ekspozojnë mungesë të qartë të aktivitetit ekonomik në vend. Mes tjerash, ai përmendi migrimin masiv në vitet e fundit që, sipas tij, përbën faktorin kyç prapa mirazhit të uljës së papunësisë, një e dhënë e shumëtrumbetuar nga zyrtarët e pushtetit.
Mustafa rikujtoi se me përfundimin e mandatit të qeverisë Kurti,ekonomia kosovare ka përjetuar një ngadalësim të dukshëm në fushën e zhvillimit ekonomik, duke përmes si argument ngadalësimin e rritjes ekonomike, rënien e investimeve private dhe thellimin e deficitit tregtar të vendit.
Sipas Mustafës, rritja mesatare ekonomike në Kosovë ka qenë më e lartë krahasuar me vitet e udhëheqjes së qeverisë Kurti.
“Nëse shohim se çfarë ka ndodhur në ekonomi vitet e fundit, shohim që rritja mesatare ekonomike, që nga ardhja në pushtet e kësaj qeverie, është diku në 3.5 për qind, e cila është më e ulët sesa mesatarja para se kjo qeveri të vinte në pushtet. Para se kjo qeveri të vinte në pushtet, mesatarja e rritjes ekonomike ishte rreth 4.6 për qind.” – deklaroi Mustafa, duke vënë në pikëpyetje bazën e pretendimeve për progres ekonomik nga pushteti.
"Rënie e investimeve dhe deficit tregtar"
Mustafa tha se investimet private, që konsiderohen si shtylla kryesore e krijimit të vendeve të punës, kanë përjetuar një rënie të dukshme në vitet e fundit.
“Investimet e sektorit privat, që është gjeneruesi kryesor apo bartësi kryesor i punësimit në Kosovë, nëse e shohim çfarë ka ndodhur vitet e fundit, kemi një rënie të investimeve në sektorin privat.” – tha Mustafa.
Njohësi i ekonomisë u ndal edhe te deficiti tregtar i Kosovës për të cilin tha se ka arritur në nivelin më të lartë historik.
“Deficiti tregtar, që paraqet diskrepancën mes eksporteve dhe importeve, ka arritur në nivelin më të lartë historik që ka pasur Kosova ndonjëherë.” – u shpreh Mustafa.
Një nga pikat që Mustafa e cilësoi si shqetësuese ishte niveli i ulët i investimeve kapitale.
Ai argumentoi se mungesa e projekteve të mëdha infrastrukturore dhe investimeve publike ka penguar zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës.
“Investimet kapitale – më të ulëtat në historinë e Kosovës. Kjo ka hendikepuar krijimin e kushteve për zhvillim në Kosovë, por ka lënë edhe bizneset dhe punëtorët pa punë.
Në të gjitha këto rrethana, si ka mundur të rritet punësimi në Kosovë? Nuk ka se si të rritet punësimi në një vend ku nuk ka shtim të aktivitetit ekonomik, përderisa struktura e ekonomisë është e njëjta.” – tha ai.
"Migrimi, shkaktar i uljes së papunësisë"
Mustafa shtoi edhe një elemement shtesë që, sipas tij, ka ndikuar uljen e papunësië – migrimin masiv të qytetarëve.
Sipas Mustafës, rritja e pretenduar e punësimit nuk është rezultat i ndonjë dinamike ekonomike të brendshme, por rezultat i fenomenit shqetësues të migrimit masiv
Ai theksoi se mbi 209 mijë qytetarë kanë marrë leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Evropian gjatë viteve të fundit, gjë që ndikon direkt në uljen statistikore të papunësisë.
“Këtu kemi të dhëna që tregojnë për rënie të papunësisë – dhe unë mendoj që faktori kryesor është migrimi. Në vitet e fundit, numri i qytetarëve që kanë marrë leje qëndrim vetëm në vendet e BE-së është 209 mijë, dhe sigurisht që ato të dhëna reflektojnë në të dhënat e papunësisë.” – përfundoi ai.