REL: Kurti dhe Vuçiq kanë miratuar Deklaratën për të Zhdukurit
Radio Evropa e Lirë raporton se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kanë miratuar Deklaratën për të Zhdukurit.
Kjo, siç raporton ky medium, ka qenë pika e parë e takimit, derisa pritet që të prezantohet edhe draft-statuti i Asociacionit.
Ndërkohë në faqen zyrtare të Këshilit Evropian janë publikuar edhe fotografitë e para nga ky takim.

Në fotografitë e publikuara shihen të ulur kryediplomati evropian, Josep Borrell, i dërguari special i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë Besnik Bislimi, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq si dhe kryenegociatori i Serbisë për bisedime me Kosovën, Petar Petkoviq.
Para se të fillonte takimi, kryeministri Kurti ka biseduar me emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Asociacioni?
Dy temat kryesore që do të diskutohen në takimin e sotëm mes Kurtit e Vuçiq tashmë janë konfirmuar.
Siç kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i BE-së Peter Stano, sot do të prezantohet edhe drafti i statutit për formimin e Aosciacionit.
“Takimi do të përqendrohet në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve. Si pikë e parë e agjendës do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit. Pika e dytë do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pas këtyre dy temave do të shihet sesa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera.” – ka thënë zëdhënësi Stano.
Sa i përket prezantimit të këtij draft-statuti, kryeministri Kurti kishte shprehur "dëshirën" që t'i prezantohej atij fillimisht.
“...edhe pse mendoj se do të ishte më mirë nëse do të ma paraqitnin fillimisht në Prishtinë,” – kishte thënë ai. Paraprakisht, kryeministri e kishte pranuar se nuk kishte informacione të mjaftueshme mbi statusin apo edhe përbërjen e këtij ekipi.
Më vonë ishte marrë vesh që ekipi menaxhues kryesohej nga ana e Danijela Vujiçiqit nga Mitrovica e Veriut, që ishte deputete nga radhët e Partisë Progresive Serbe që drejtohet nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq.
Në lidhje me Asociacionin, sot gjatë ditës ka folur edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani e cila u shpreh se Kosova do të duhej ta kishte draftin e saj, duke e denoncuar si draft të Vuçiqit draftin që do të prezantohet sot.
“Pritjet e mia si presidente, është që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj sepse nuk guxojmë që të lejojmë që drafti i të ashtuquajturës ekipi menaxhues që në realitet është draft i Vuçiqit...” – u shpreh znj. Osmani.
Për këtë takim ka folur edhe emisari special i Bashimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka njoftuar se është takuar më parë me Kurtin për t’u përgatitur për këtë takim.
Kujtojmë se për herë të fundit Kurti dhe Vuçiq janë takuar në Ohër më 18 mars, ku edhe janë dakorduar për zbatimin e një marrëveshje të re mes dy vendeve.
Marrëveshja e fundit e arritur dihet se kërkon nga të dy palët që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

