REL: Ikja e kapitalit, investimet jashtë Kosovës rriten për 55%
Bizneset e Kosovës po e çojnë kapitalin gjithnjë e më shumë jashtë vendit, duke kërkuar tregje më të sigurta dhe fitime më të qëndrueshme. Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, të publikuara nga “Radio Evropa e Lirë”, investimet direkte jashtë vendit arritën në 166.6 milionë euro gjatë gjysmës së parë të këtij viti, një rritje prej 55 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Ky trend është rritur vazhdimisht që nga viti 2020.
Shqipëria ka dalë destinacioni kryesor i kapitalit kosovar. Kompania ndërtimore “Uni Projekt”, e cila operon prej gjashtë vjetësh në Shqipëri, ka reduktuar ndjeshëm aktivitetin në Kosovë për shkak të fuqisë më të ulët blerëse në tregun vendas. Po ashtu, prodhuesi “Solid Shoes” ka blerë 40 për qind të aksioneve të një fabrike në Tiranë, duke përfituar nga përvoja më e zhvilluar prodhuese dhe nga lehtësitë e eksportit përmes porteve shqiptare.
Sipas Institutit GAP, kosovarët investuan mbi 80 milionë euro në Shqipëri vitin e kaluar, ndërsa investimet në Mal të Zi arritën në 18.2 milionë euro në vitin 2024. Ekspertët, të cituar nga “Radio Evropa e Lirë”, e quajnë këtë trend shqetësues dhe paralajmërojnë për pasoja afatgjata.
Arsyet kryesore të largimit lidhen me burokracinë, mungesën e digjitalizimit dhe çmimet e larta të energjisë, të cilat i bëjnë bizneset kosovare më pak konkurruese. Kjo largesë nënkupton humbje të të ardhurave nga tatimet, tkurrje të kapitalit vendas dhe rritje të varësisë nga importet. Ndërkohë, Ministria përkatëse nuk ka dhënë ende një strategji për të ndalur këtë trend.