Regjistrohet edhe dështimi i 35-të, deputetët përsëri nuk gjejnë energji për konstituimin e Kuvendit - NACIONALE

Regjistrohet edhe dështimi i 35-të, deputetët përsëri nuk gjejnë energji për konstituimin e Kuvendit

1 vit më parë

nga NACIONALE

As sot nuk është arritur ndonjë pajtueshmëri mes partive politike për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Kjo pasi edhe përpjekja e 35-të e deputetëve për konstituimin e Kuvendit nuk ka rezultuar me sukses. Lëvizja Vetëvendosje as sot nuk ka hequr dorë nga propozimi që kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të votohet në mënyrë të fshehtë.

Kësaj radhe, propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ka marrë vetëm 51 deputetë, kudër ka qenë 1 deputet, kurse abstenim nuk ka pasur.

Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të hënën në orën 11:00.

Në fillim të muajit maj, VV-ja ka propozuar formimin e një komisioni, i cili do të monitoronte votimin e fshehtë për kryetar të Kuvendit.

Një propozim i tillë ka ardhur pasi kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte dështuar 6 herë rresht t`i marrë votat e nevojshme.

Çështja e votimit të fshehtë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga AAK-ja, e cila është mbështetur edhe nga PDK-ja dhe LDK-ja.

Seanca për konstituimin e legjislaturës se nëntë ka filluar më 15 prill. Deri tani janë kaluar vetëm dy pika të agjendës.

Deputetët e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe janë betuar.

VV-ja nuk po e ndryshon kandidaten për kryetare të Kuvendit edhe pse PDK-së dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë një kandidatë tjetër për kryetar.

Lajme të ngjashme