Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës: Deri me tani KQZ-ja ka aprovuar 51,440 kërkesa, afati përfundon më 26 dhjetor - NACIONALE

Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës: Deri me tani KQZ-ja ka aprovuar 51,440 kërkesa, afati përfundon më 26 dhjetor

1 vit më parë

nga NACIONALE

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se është duke vazhduar procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës. Deri dje në ora 16:00 janë aprovuar 51,440 kërkesa për regjistrim. Ndërsa, partitë politikë kanë iu kanë thirrje të gjithë shtetasve që jetojnë jashtë Kosovës të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë me dije se 5 ditë pa përfunduar afati KQZ-ja ka aprovuar mbi 51 mijë kërkesa për regjistrim.

Ai ka treguar se në këtë proces 3,388 kërkesa janë refuzuar.

“Është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Në bazë të të dhënave, deri më 20 dhjetor, në orën 16:00, pas aplikimit përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org janë aprovuar 51,440 kërkesa për regjistrim, ndërsa 3,388 janë refuzuar.”, ka thënë ai.

Ai ka treguar arsyet e refuzimit të kërkesave.

Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit. KQZ i informon individualisht aplikuesit e refuzuar për arsye të refuzimit të kërkesës së tyre si dhe për mundësinë e ri-aplikimit për regjistrim, duke bashkëngjitur dokumentet e nevojshme për të përmbushur kërkesën e tyre në përputhje me udhëzimet e KQZ-së. Nga 51,440 aplikime të aprovuara, 12,631 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike 8,005 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 30,804 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, ka thënë ai.

Thirrjet e partive për mërgatën

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka ftuar mërgatën që të regjistrohet për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ai ka treguar se kanë mbetur edhe 5 ditë kohë për këtë proces, duke kërkuar nga bashkatdhetarët që të regjistrohet.

Në profilin e tij në “Facebook”, Abdixhiku ka shkruar se ndryshimi, sikurse në Kosovë do të ndodhë edhe në mërgatë.

Fillimisht dua të shpreh gjithë falënderimin tim e tonin për regjistrimet e bëra deri më sot. Aktivizimi senzibilizues për t’u regjistruar, i plot 80 nëndegëve tona në mërgatë, nga gushti deri më sot, ishte jo vetëm për çdo lavdatë por dhe shtytës motivues për secilin prej nesh. Keni bërë punë të madhe! Keni bërë punë të drejtë! Prandaj ndryshimi i ardhshëm do të mbajë vulën e angazhimit si ky. Ndryshimi, sikurse në Kosovë do të ndodhë dhe në Mërgatë! Tani që kanë mbetur edhe 5 ditë deri në përmbylljen e afatit ligjor, ju bëj thirrje që të vazhdoni me regjistrim. Të shfrytëzoni këtë të drejtë demokratike e Kushtetuese tuajën. Për çdo informim, pikat tona kontaktuese i gjeni në faqet tona zyrtare; gjersa në Kosovë, zyret e degëve tona do të jenë të hapura gjatë gjithë vikendit - të fundit për regjistrim”, ka shkruar Abdixhiku.

Ditë me parë, një gjë të tillë e ka bërë edhe kryeministri Albin Kurti.

Përmes një video të publikuar në profilin e tij në “Facebook”, ai ka kërkuar nga diaspora që të regjistrohen para se të vijnë për pushime në Kosovë për festa të fundvitit.

Për të qenë të sigurt që mund të shfrytëzoni të drejtën tuaj për të votuar, është obligative të regjistroheni online në faqen e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ). Afati i fundit për regjistrim është data 26 dhjetor 2024, pra kanë mbetur vetëm edhe pak ditë. Për votimin më masiv, votimin me postë dhe votimin pranë ambasadave e konsullatave, si fillim duhet të regjistroheni online. Edhe një herë, ky regjistrim është i mundur deri më 26 dhjetor”, ka thënë Kurti, duke treguar detaje tjera.

Gjatë regjistrimit, ju mund të zgjedhni nëse dëshironi të votoni: 1) Në mënyrë fizike në Ambasadën ose Konsullatën tonë në shtetin ku jetoni; 2) Duke dërguar zarfin me votën tuaj në kutinë postare të hapur nga KQZ përmes Ambasadave apo Konsullatave enkas për votim; ose ajo mënyra e vjetër: 3) Duke dërguar votën tuaj me postë direkt në Kosovë. Votimi fizik në përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore organizohet të shtunën, datë 8 shkurt 2025, dhe zgjatë 12 orë. Ndërsa, votimi me postë hapet me datë 9 janar 2025 dhe zgjatë një muaj. Votimi me postë ju merr vetëm pesë minuta kohë”, ka thënë Kurti.

Lajme të ngjashme