Regjistrimi i veturave serbe me targa KM, Petkoviq: Kurti po krijon tensione të reja
Mediat serbe në Kosovë sot po raportojnë se në disa raste, Policia e Kosovës nuk ka lejuar të hyjnë vetura me targa KM që janë regjistruar pas datës 10 dhjetor.
Gjithë kjo ndërlidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës, lidhur me riregjistrimin e veturave që kishin targa illegale.
Ndaj ndalesave nga Policia e Kosovës ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosvoën në Serbi, Petar Petkoviq. Edhe këtë situatë, ky e ka shfrytëzuar për të bërë pak dramë.
Ky i fundit ka deklaruar se Albin Kurti po dëshiron të krijojë tensione të reja.
“Bëhet fjalë për shkelje brutale dhe nëpërkëmbjen e marrëveshjes për targa që Beogradi dhe Prishtina e arritën në Bruksel më 23 nëntor të vitit të kaluar, pas një krize të rëndë që kërcënoi plotësisht paqen. Sipas asaj marrëveshjeje është paraparë që deri në zgjidhjen përfundimtare për targat, targat KM të mbeten në përdorim të plotë”, ka thënë Petkoviq.
Ai ka kërkuar reagim nga Bashkimi Evropian.
“Më lejoni t'ju kujtoj se kriza e vitit të kaluar u shkaktua nga vendimi i Kurtit që dhunshëm dhe pa asnjë bazë ligjore t'i anulojë targat KM dhe t'i paralajmërojë serbët dhe t'i shqiptojë disa gjoba, dhe që nga mëngjesi i sotëm i është drejtuar sërish dhunës së tij të paligjshme dhe të njëanshme”, deklaroi Petkoviq.