“Regjia, të ndërpritet”: Dehari bëhet më agresiv ndaj ish-opozitës, ia ndërpret fjalën edhe bashkëkryesueses
Në dy përpjekjet e fundit për konstituimin e Kuvendit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, është bërë më agresiv ndaj deputetëve të partive ish-opozitare.
Të dielën dhe sot, deputeti i VV-së në mënyrë agresive ua ka ndërprerë fjalën deputetëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, të cilët i kërkonin respektimin e Kushtetutës dhe Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Me tone të ashpra e me duar, ai sot i është drejtuar edhe bashkëkryesueses së seancës, deputetes më të re, Sala Jashari, e cila është e barabartë me te në drejtimin e seancës konstituive.
Derisa Jashari i kërkonte deputetit të VV-së që të mos ua ndërpres fjalën deputetëve, Dehari edhe me duar i kwrkonte deputetes së PDK-së qw tw mos fliste.
E para që Deharit i kërkoi respektimin e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në seancën e sotme ishte deputetja e PDK-së, Blerta Dleiu-Kodra.
“Kryesues, po të bëjmë thirrje edhe një herë respektoje Kushtetutën. Ktheju rendit të ditës dhe respektoje Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Deli-Kodra.
Duket se kjo kërkesë e nervozoi shumë Deharin, i cili në mënyrë të ashpër kërkoi nga regjia t`i ndërpritet fjala deputetes së PDK-së.
“Ju lutem vetëm për propozim. Regjia të ndërpritet, të ndërpritet”, kërkon më zë të lart Dehari.
Sjellja e Deharit nxiti reagimin e deputetes tjetër të PDK-së, Sala Jashari, e cila si deputete më e re është bashkëkryesuese e seancës konstituive.
Jashari i kërkoi Deharit që të lejonte të flas deputeten Deliu-Kodra.
“Mos ia ndalo, e ka të drejtën e saj”, i thoshte Jashari deputetit të VV-së.
Por, Dehari injoroi në terësi kërkesën e deputetes Jashari.
Nga ajo që është parë, Dehari për disa sekonda i kërkonte deputetes së PDK-së që të mos i përzihet në punë.
Derisa i fliste Jasharit, ai bënte edhe me duar në drejtim të saj, duke i kërkuar që të mos flasë.
Diskutimi në mes dy deputetëve ka vazhduar derisa në foltore është ngjitur deputeti i LDK-ë, Armend Zemaj.
Edhe ky u fundit kishte një kërkesë për Deharin e VV-së.
“Kryesues, zbatoje vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Kthehu në rend të ditës”, ka thënë Zemaj.
Derisa reagimi i Deharit ishte i shpejt dhe i ashpër.
“Vetëm për propozim. Regjia, le të ndërpritet”, ka thënë Dehari.
Më pas në foltore, doli deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
Ndonëse deputetja e AAK-së tenton të bënte një “propozim”, Dehari i ndërhynte duke i thënë se duhet ta jap vetëm emrin e deputetit.
“Ju lutem, vetëm për propozim”, thoshte Dehari.
Për të fituar disa sekonda kohë, deputetja Kadrjaj krijoji një moment qesharak në seancë.
Ajo u tall me Deharin dhe VV-në, duke thënë se për anëtar të komisionit AAK-ja e propozon Albin Kurtin.
“Për komision e propozojmë deputetin Albin Kurti”, ka thënë Kadrijaj.
Në të njëjtën mënyrë, kryesuesi i seancës konstituive kishte vepruar edhe të dielën, në përpjekën e 39 për të konstituar Kuvendit. Edhe në atë seancë Dehari fjalën në gjysmë ua la deputeteve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Kaq ashpër deputeti i VV-së nuk kishte reaguar ndaj deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq. Në seancën e 3 majit, Dehari një herë ia kishte ndërpre fjalën edhe kryetari të PDK-së, Memli Krasniq, por jo edhe deputetit nga komuniteti serbe.
Ndonëse deputeti i Listës Serbe në atë seancë kishte folur më gjatë se Krasniqi i PDK-së, Dehari nuk ia kishte ndërprerë fjalën.