Reduktimet e rrymës 6 me 2, për kosovarët fillon dimri i vështirë në mes të gushtit
“Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe.”
Kanë kaluar tetë muaj prej kësaj deklarate të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe vendi ynë përsëri po ballafaqohet me problemin e njëjtë. Reduktimet e energjisë elektrike fillojnë nga sot (e hënë, 15 gusht).

Prej atëherë e deri tash, përveç paralajmërimeve për ‘dimër të vështirë’, qeveria nuk ka marrë ndonjë masë konkrete që do të ndihmonte më lehtë në kapërcimin e krizës energjetike.
Një komunikatë e KEDS, kompani kjo që merret me distribuimin e energjisë elektrike, ia ka bërë ‘terr’ qyetetarëve të Kosovës. Në komunikatën e tyre thuhet se prej sot, në Kosovë, do të aplikohen reduktimet e energjisë elektrike – 6 me 2.
“KEDS njofton që ka pranuar urdhëresë nga Qendra Nacionale Dispecerike e Kosovës, pjesë e KOSTT, që të fillojë me kufizimet e energjisë elektrike nga ora 8:00 e të hënës. Këto kufizime, në bazë të planit të dërguar do të jenë deri në 2 orë për të gjithë konsumtorët. Pra, konsumatorët gjatë ditës së hënë do të kenë nga 6 orë energji elektrike dhe 2 orë kufizime”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Arsyetimi i tyre qëndron në faktin e rritjes së çmimit të energjisë në tregjet ndërkombëtaredhe se KEDS dhe KESCO nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë.
Çka tash?
Qeveria, konkretisht ministrja e Ekononisë, Artane Rizvanolli, kishte paralajmëruar që do të ketë krizë të energjisë elektrike, por jo tani në mes të verës, por në stinën e dimrit.
Rizvanolli kishte thënë se na pret një dimër i vëshitirë, duke lënë të kuptohet që do të kemi reduktime të energjisë elektrike. Mirëpo, ajo nuk kishte treguar se këto reduktime do të fillojnë qysh në muajin gusht.
“Besoj është e qartë për të gjithë. Dimri i ardhshëm do të jetë tejet i vështirë për të gjithë Evropën, kjo do ta ndikojë edhe neve në masën që ne kemi nevojë për import të energjisë. Është mirë të jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që po na presin. Jemi duke i ndërmarrë të gjitha masat të nevojshme dhe të realizueshme për një kohë të shkurtër. KEK-u është duke i bërë të gjitha përpjekjet që ndërhyrjet në blloqe të bëhen para dimrit. Duhet të kursejmë energjinë”, kishte thënë ajo.
Cilat masa?
Kuvendi i Kosovës ka miratuar masat emergjente për furnizim me energji elektrike.
Masat e emergjencës, ndër të tjera, përfshijnë: Masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit; Ndalimin e përdorimit të energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave; Mbështetjen e Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për të ndërmarrë veprimet e nevojshme në funksion të ruajtjes së sigurisë së sistemit elektro-energjetik; dhe Masa në kursimin e konsumit të energjisë elektrike nga të gjitha institucionet; Obligohet Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, të propozojë masa mbështetëse për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë muajve të dimrit, si dhe të monitorojë dhe sipas nevojës të lehtësojë përgatitjet e ngrohtoreve për sezonën e dimrit.
Kritika për Qeverinë
Pasi lajmi se do të fillojnë reduktimet e energjisë elektrike, në rrjetet sociale u bë dritë nga reagimet e shumta, që kritikonin qeverinë për mungesë të veprimeve rreth krizës energjetike.
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas reduktimeve të energjisë elektrike që fillojnë sot, duke thënë se dikush duhet dhënë përgjegjësi për sabotimet në projektet për sektorin e energjisë.
Çitaku thotë se nëse tani kemi reduktime 6 me 2 atëherë në dimër do të jetë edhe më rëndë.
“6-2 orari i reduktimeve në mes të Gushtit, kur niveli i konsumit është i ulët. Mund ta marrim me mend se si do të jetë dimri në Kosovë këtë vit. Dikush duhet me dhanë përgjegjësi për sabotimet e njëpasnjëshme të secilit projekt i cili do të rriste pavarsinë energjetike të Kosovës. Sigurimi i energjisë është çështje e sigurisë kombëtare. Këto janë betejat e vërteta, e jo luftërat imagjinare në kokën e Kryeministrit”, ka shkruar ajo.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, shkroi se: “Qeveria është vëzhguese në këtë drejtim”, dhe se “Qeveria e Kurtit s’po e ndërmerr asnjë vendim përballë situatës me rrymën.”
Ndërsa Shqipe Pantina, ish-deputete e Lëvizjes Vetëvendosje ka shkruar se: “Krejt çka i kemi përjetu që 20 vjet, i përjetuam edhe që dy vjet”.
Në anë tjetër, analisti Astrit Gashi, ka thënë se në Kosovë përveç krizës me energji elektrike, vendi ballafaqohet edhe me “krizë të ministreve, bordeve, korporatave energjetike, rregullatorëve e faturuesve jokompetentë e zhvatës”.
Edhe opinionisti Ilir Ibrahimi ka thënë se për mungesën e rrymës në muajin gusht, ndokush nga zyrtarët e shtetit duhet të mbahet përgjegjës.
Për të mos harruar, Kosova kishte reduktime të rrymës edhe vitin e kaluar, por theksojmë se këto reduktime filluan nga mesi i muajit dhjetor, teksa Qeveria Kurti kishte kritikuar qeveritë e kaluara për situatën në sektorin e energjisë.
Po ashtu, këto ditë është bërë kërkesë për dyfishimin e çmimit të energjisë elektrike.




