Reçaku e Kosova prej Fredericksburgut jehojnë me thirrjen për guximin dhe të vërtetën - NACIONALE

Reçaku e Kosova prej Fredericksburgut jehojnë me thirrjen për guximin dhe të vërtetën

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Me librin e tij në sfond “Reçak: Historia e një krimi lufte”, ish-ambasadori amerikan William Walker të dielën ka bashkëndarë për publikun amerikan përvojën e tij në Kosovë dhe zërimin e së vërtetës për një nga masakrat që alarmuan botën mbarë. “Kosova, një nga momentet më krenare të jetës”, ka thënë 89-vjeçari i cili në janar të 1999-s iu kundërvu propagandës së Millosheviqit.

19 maj 2025 – Rrëfimi mbi masakrën e Reçakut ka në vete edhe guximin për të sfiduar drejtpërdrejtë një shtet si Jugosllavia e Millosheviqit që i manipulonte skenat e krimit për t’i fajësuar gjithmonë viktimat.

Kështu, i cilësuar si hero i së vërtetës, ish-ambasadori William Walker ka bashkëndarë të dielën rrëfimin e tij në Fredericksburg Visitor Center.

Me vete pati edhe librin e botuar së fundmi “Reçak: Historia e një krimi lufte”, në të cilën kronikohet rrëfimi i tij si kryesues i misionit të OSBE-së.

Për organizatorët e kësaj ngjarje, guximi dhe përkushtimi për drejtësinë i ambsadorit Walker e ndryshoi historinë për popullin e Kosovës.

“Prania e tij nuk është vetëm kuptimplotë për komunitetin tonë – është edhe personale”.

Crossfield: “Walker, njeriu që guxoi”

Në fjalën e saj të hapjes, Anita Crossfield, me origjinë nga Kosova, ka thënë se vizita e Walkerit nuk është vetëm sa për një nënshkrim libri, por për të vërtetën, shërimin dhe kuptimin e thellë.

“Për mua është [vizitë] pabesueshëm personale”, ka thënë Crossfield e cila me këtë rast ka evokuar kujtimet e saj kur ajo dhe të afërmit e saj ishin dëbuar nga shtëpitë.

Ajo ka kujtuar se në ato ditë mbanin me vete një radio tranzistor të vogël përmes të cilit përpiqeshin të kapnin valët e Zërit të Amerikës.

“Radioja ishte linja e jetës për ne derisa i mbaronin bateritë.”

Një nga masakrat për të cilën u informuan asokohe, ka vijuar Crossfield, ishte edhe ajo që ndodhi në Reçak ku u ekzekutuan 45 civilë të pafajshëm shqiptarë,

“Ishte një tragjedi që përkapi vëmendjen e botës për shkak se ambasadori Walker aty ishte dëshmitar. Dhe ai pati guximin që ta quante atë çfarë ishte, një krim kundër njerëzimit. Por, tragjikisht, ai ishte larg të qenit i vetmi”, tha Crossfield.

Roeske: “Walker, heroi im personal”

Vlerësime të larta për Walkerin dhe punën e tij ka dhënë edhe mësuesja nga Mountain View High School, Sarah Roeske.

Ajo ka thënë se kurdo që ligjëron për spastrimin etnik në Kosovë, ajo e ka për referencë fillestare ambasadorin Walker dhe mënyrën sesi ai e solli masakrën e Reçakut në vëmendjen e botës.

“Në nivel personal, unë isha e ngazëllyer dhe e nderuar të jem këtu meqë ambasadori është një nga heronjtë e mi personal”, ka thënë Roeske.

“Seç kishte diçka të dyshimtë”

Minutat në vazhdim ishin të rezervuar për rrëfimin e ish-diplomatit amerikan William Walker, i cili që nga vjeshta e vitit 1998 ishte në krye të Misionit Kosovar për Verifikim në kuadër të OSBE-së.

Ai, me këtë rast, është kthyer pas në kohë, në 15 janarin e 1999-s, kur sa kohë po qëndronte në Mal të Zi mori vesh për njoftimin e dhënë nga Qeveria e asokohshme në Beograd se kishte ndodhur një betejë mes UÇK-së dhe ushtrisë e policisë jugosllave.

“Qeveria fillimisht e përshkroi ngarjen sikur aty kishte ndodhur një luftim mes UÇK-së dhe ushtrisë e policisë, ku viktimat ishin vetëm nga ana e UÇK-së, kurse asnjë nga ana e forcave qeveritare. Kjo në vetëvete ishte e dyshimtë”, ka thënë Walker.

Këto dyshime ia kishte konfirmuar edhe zyrtari i tij ndërlidhës britanik, dhe ndërkohë kur kishte ardhur përmes helikopterit në Kosovë nuk kishte asnjë dëshmi se në Reçak ishin bërë luftime.

“Gjatë ditës nuk pati kurrfarë luftimesh në Reçak. Aty pati bombardime me artileri nga malet rreth e përçark.”

“Ky ishte krim lufte”

Më tej, Walker ka kujtuar se misioni i tij në terren ishte në dijeni sesi forcat ushtarake e policore jugosllave kishin marrë një numër fshatarësh nga Reçaku, megjithëse për ta Beogradi thoshte se janë njerëz që kishin luftuar kundër forcave të tij.

“Reagimi im ishte se edhe sikur të kishin qenë luftëtarë të UÇK-së, pas çarmatosjes dhe marshimit të tyre nën përcjelljen e ushtrisë, ata pak pas orësh u gjetën të vdekur. Ky ishte krim lufte, edhe sikur ata të ishin pjesëtarë të UÇK-së”, ka thënë ish-diplomati amerikan.

Në këtë shtjellë rrëfimesh, ai ka ndërmendur momentet kur mes të ftohtit e acarit po ngjiteshin në një kodër jashtë fshatit Reçak.

“Ishte një dimër tejet i ashpër ballkanik. Ne duhej të shkonim në një kodër tej fshatit. Toka ishte mbuluar me akull e dëborë, dhe mezi e mbaja balancin teksa ngjiteshim andej.”

Kur Walker me kolegët e tij mbërritën afër një hendeku, aty gjetën trupa të vrarësh, ku asnjëri nuk ishte me uniformë ushtarake, por me rroba përditshmërie.

“Në to kishte vrima plumbash ku kishte plasur gjaku. Qe e qartë se ata kishin vdekur aty ku i gjetëm. Ata ishin vrarë nga të shtënat me armë që iu vinin nga sipër. Ndaj qeveria u zu e papërgatitur kur masakra ndodhi”, ka thënë ai.

“Arritja jonë atje ishte çështje orësh dhe ata s’mund të bënin gjë për të ndryshuar skënën e krimit ashtu që të dilnin me rrëfime qesharake.”

E vërteta mori dhenë…

Raportimi i guximshëm i Walkerit më pas u përcoll për javë me radhë edhe në ballinat e Wall Street Journalit, New York Timesit, Washington Postit si dhe gazetave më të mëdha në botë.

“Kjo nuk do të kishte ndodhur sikur unë dhe ekipi të mos kishim shkuar atje”, ka shtuar Walker.

Ai ka shtuar se pas kësaj ngjarje, domethënë pas pasqyrimit të masakrës së Reçakut, liderët e ShBA-së, Britanisë së Madhe, Francës e Gjermanisë shtuan përpjekjet për arritjen e një marrëveshje, e cila ngjau pas pak kohe në Rambuje.

“Kosova, një perlë, krenaria ime”

Duke e ripërmbledhur krejt angazhimin e tij jetësor, Walker ka thënë se për çdo përvejtor te masakrës shkon në Reçak, aty ku tani është ndërtuar edhe një monument për të vrarët.

“Kam qenë atje (në Kosovë) kur u shpall pavarësia, një prej momenteve më krenare të karrierës sime. Jam edhe më krenar kur shoh se ky vend i vogël në zemër të Ballkanit, një prej trevave më të konfliktuara në botë për mijëra vjet, sot është një perlë”, ka thënë 89-vjeçari i lindur në Kearny të New Jerseyt.

“Kosovarët, qofshin shqiptarë, serbë a romë, duhet të jenë fort krenarë për këtë shtet të vogël i cili për 15 vjet prejse e shpalli pavarësinë e ka treguar saktësisht atë çfarë kosovarët mund ta bëjnë po ju dha mundësia.”

Në fund të shpalimit të tij, Walker ka thënë se për 40 vjet të karrierës së tij, Kosova është një storie e cila e bën krenar.

“Nuk e di nëse e thonë këtë gjë edhe kolegët e mi nëpër ambasadat amerikane në botë, por Kosova, sipas mendimit tim dhe të atyre që e njohën për së afërmi, është vendi më demokratik në Evropë, e mbase edhe në botë. Në fakt, ato shtete që nuk e njohin Kosovën janë shumë më pak demorkatike se ajo”, ka përfunduar ish-diplomati amerikan. /NACIONALE/

Lajme të ngjashme