Reagon Presidenca: Kushtetuesja nuk e hodhi poshtë dekretin ndaj Avni Kastratit
Presidenca e Republikës së Kosovës, ka përgenjështruar lajmin se “Kushtetuesja e ka hedhur poshtë dekretin e Presidentes për shkarkimin e Avni Kastratit si ambasador i Kosovës në Slloveni”.
Presidenca ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për këtë, por se Kushtetuesja e ka rikthyer përsëri në Gjykatat e rregullta rastin e Kastratit.
𝐆𝐣𝐲𝐤𝐚𝐭𝐚 𝐊𝐮𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐮𝐞𝐬𝐞 𝐧𝐮𝐤 𝐞 𝐤𝐚 𝐡𝐞𝐝𝐡𝐮𝐫 𝐩𝐨𝐬𝐡𝐭ë 𝐝𝐞𝐤𝐫𝐞𝐭𝐢𝐧 𝐞 𝐏𝐫𝐞𝐬𝐢𝐝𝐞𝐧𝐭𝐞𝐬
Lajmi i publikuar në disa mediume se "Kushtetuesja hedh poshtë dekretin e Presidentes për shkarkimin e Avni Kastratit si ambasador i Kosovës në Slloveni", është i pasaktë. Në fakt, Gjykata Kushtetuese fare nuk e ka bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës është njoftuar sot nga Gjykata Kushtetuese se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese ka pretenduar se gjykatat e rregullta kishin shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me Kushtetutë.
Si rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta kthej këtë çështje në Rivendosje në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Pra, në asnjë rrethanë nuk kemi të bëjmë me hedhje poshtë të dekretit të Presidentes, meqë Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë vlerësim të kushtetutshmërisë së dekretit të Presidentes.- thuhet në reagimin e presidencës.
Gjykata Kushtetuese në fakt nuk e ka vlerësuar çështjen e dekretit të presidentës, por në vendimin e saj ka vlerësuar se Gjykatat secila shkallë e tyre në Kosovë, ia kanë mohuar pa të drejt z.Kastrati, kontestin për këtë çështje.
Si rrjedhojë Gjykatat obligohen që ta lejojnë kontestimin e kësaj çështje nga ish ambasadori Kastrati.
