Deklarata kundër Kosovës e Milanoviqit, deputetja shqiptare në Kroaci: Si ju, si ne - NACIONALE

Deklarata kundër Kosovës e Milanoviqit, deputetja shqiptare në Kroaci: Si ju, si ne

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Deputetja e pakicës shqiptare në Kuvendin Kroat, Ermina Lekaj Përlaskaj ka reaguar ndaj deklaratës së presidentit kroat, Zoran Milanoviqit se “Kosova është marrë nga Serbia”.

Lekaj – Përlaskaj ka theksuar se themelet e pavarësisë së Kosovës janë të njëjtat që çuan në pavarësinë e Kroacisë.

“Shtetësia e Kosovës nuk mund të sfidohet sepse ajo u bë e pavarur sipas të njëjtit model si Kroacia. Republika e Kosovës u krijua në procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, njësoj si Republika e Kroacisë”, tha ajo, duke theksuar se sipas Kushtetutës së Jugosllavisë të vitit 1974, “krahina e Kosovës nuk ishte vetëm një pjesë e Serbisë por edhe element përbërës i federatës. Kosova vetëqeverisëse u degradua në njësi administrative në të cilën u zbatua një regjim policor dhe persekutim masiv i popullatës shumicë shqiptare. E gjithë kjo, për shkak të rrezikut të një fatkeqësie dhe shkeljes së dispozitave të së drejtës ndërkombëtare humanitare, çoi në një ndërhyrje humanitare, e cila është e njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe pikërisht në zonën e Europës Juglindore”, tha ajo, duke shtuar se sfidimi i shtetësisë së Kosovës do të ishte njësoj si sfidimi ndaj Greqisë apo Bullgarisë moderne.

Duke përmendur aktet juridike që ishin baza e pavarësisë së Kroacisë, Lekaj-Përlaskaj ka thënë se i njëjti model është aplikuar edhe për pavarësinë e Kosovës.

“Ashtu siç Kushtetuta e Jugosllavisë e vitit 1974 dhe aktet e tjera juridike dhe vendimmarrja demokratike e qytetarëve ishin baza juridike dhe faktike për pavarësinë e Republikës së Kroacisë, i njëjti model është aplikuar edhe për rastin e pavarësisë së Republikës së Kosovës.” - tha të hënën ajo, raportojnë mediat kroate.

Presidenti kroat, Zoran Milanoviq tha sot se “Krimeja nuk do të jetë më Ukrainë”, duke thënë se bashkësia ndërkombëtare tashmë ka krijuar precedent me Kosovën.

“(Kosova) është rrëmbyer nga Serbia. Kosova është marrë nga Serbia, a është kështu? A e kemi njohur Kosovën, po e kemi njohur. Unë jam prapa Kosovës, por pasi kjo është bërë njëherë (aneksimi), pra pa vullnetin e shtetit (Serbisë), të cilës Kosova i ka takuar e kjo ka qenë Serbia, respektivisht Jugosllavia, e cila për ne nuk është shtet mik dhe as që jemi brengosur për ta, ka qenë vetëm çështje kohe se kur Rusia apo dikush tjetër do të bëjë të njëjtën dhe kjo tani po ndodhë”, ka thënë Milanoviq.

Lajme të ngjashme