Reagon ashpër Sami Lushtaku: Albin Kurtoviqi, më shumë kam respekt për një serb të Beogradit se për të
Vijojnë reagime të shumta ndaj videos së publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
I fundit që bëri një deklarim rreth kësaj çështje është nënkryetari i komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku.
Lushtaku, në një paraqitje televizive në Pressing hodhi akuza të shumta ndaj kryeministrit aktual, duke thënë se ka pritur që të ketë respektin minimal për ata ish-krerë të UÇK-së që janë në Hagë.
"Më erdh keq për ata që janë në Hagë. Jemi mësu në kohën e Millosheviqit me këso, kur fotografia ime dhe e bashkëluftëtarëve ishte në media. Kurtoviqi…konsideron që ne jemi hajna, le të veprojë pra drejtësia…Ky është dënim publik, dhe nuk mendoj që i duhet një qeverie që të bëjë kësi akuza e vet është në pushtet", tha fillimisht Lushtaku.
Tutje, ish-kreu i komunës drenicake pohoi se gëzon më tepër respekt për një serb të Beogradit se sa për Albin Kurtin.
"Kështu që e ftoj z.Kurtoviqi që është në qeveri, le të urdhërojnë, shtetin e kanë, prokurorinë. Më vjen keq, kam prit prej kesaj qeverie që të interesohet minimalisht për ata në Hagë, që kjo qeveri t'i ndihmojë ata njerëz që janë në Hagë. More, kqyre unë më shumë e respektoj një serb të Beogradit se sa Albin Kurtin", tha ndër të tjerash Lushtaku.
Çka u tha në video?
Shumëçka dhe asgjë. Në fakt shumica e gjërave që u thanë ishin për t'u kritikuar.
Kjo pasi, VV për të fshehur dështimet e saj "goditi" edhe Hashim Thaçin e Kadri Veselin, që momentalisht janë në Hagë e Isa Mustafën që tashmë është jashtë politikës.
Luftë bizare me politikanë që nuk janë të pranishëm në jetën politike.
Linçime ndaj sindikalistëve duke i apostrofuar si kundërshtarë të shtetit, akuza ndaj njerëzve me të cilët edhe ishin në qeverinë Kurti I.
Megjithatë, duhet pranar faktin se videoja nuk u prit mirë as nga qytetarët.
Shumë prej tyre, duke shfrytëzuar rrjetin social "Facebook", pikërisht në videon e publikuar, kritikuan VV-në duke u thënë që ta lënë propagandën dhe të merren me punë.
Kujtojmë ndërkaq, se në njërin prej paragrafëve të kësaj videoja, u tha që qeveria Kurti nuk e ka regjistruar asnjë skandal përgjatë 1 vit e gjysmë qeverisje.
"Për një vit e gjysmë në Republikën e Kosovës, u bë e mundur të qeveriset, pa asnjë skandal qeveritar. Për një vit e gjysmë, ata që nuk u përllogaritën kurrë nga shteti, filluan ta ndjejnë dorën e tij. Zhurma e tyre vazhdon. Por qeveria nuk shantazhohet. Vettingu dhe byroja për konfiskimin e pasurisë, do të bëhen. Hajnat do të japin përgjegjësi. Vendi do të bëhet i mirëqenies dhe zhvillimit. Qeveria e Lëvizjes Vetëvendosje nuk zmbrapset. Vullneti i qytetarëve do të jetësohet", thuhej ndër të tjerash në këtë adresim.
Por, rikthejmë në kujtesë ryshfetin astronomik në Ministrinë e Liburn Aliut, për të cilin skandal Gazeta Nacionale, përmes prodhimit të saj, Ditari i Buzhalës, kishte vënë në pah aferën korruptive për një tender në rrugën Dollc-Gjakovë, për të cilën më pas Prokuroria kishte filluar hetimet.