Rasti tragjik në Maribor, ambasadori i Kosovës në Slloveni viziton familjen e viktimës
Ambasada e Kosovës në Slloveni ka reaguar lidhur me rastin tragjik në Maribor, ku humbi jetën një shtetas i Kosovës, ndërsa është lënduar edhe bashkëshortja nga një zjarr që kishte kapluar shtëpinë e tyre.
Nga ambasada është njoftuar se ambasadori i Kosovës në Slloveni, Valdet Sadiku ka vizituar vendin e ngjarjes ku është takuar edhe me të mbijetuarën, ndërsa ka shprehur ngushëllime për humbjen e bashkëshortit të saj.
Bëhet e ditur se ambasadori ishte i shoqëruar nga Kryetari i shoqatës “Bashkimi” z. Faruk Bajra dhe anëtarët e kryesisë të shoqatës dhe Diplomati Burim Qorri.
Njoftimi i plotë:
Kaplohet nga zjarri një shtëpi në Maribor, humb jetën një shtetas i Kosovës dhe lëndohet bashkëshortja e tij
Pas ngjarjes tragjike që ndodhi dje në Maribor, Ambasadori Valdet Sadiku ka vizituar vendin e ngjarjes dhe ka takuar të mbijetuaren. Familjarëve të shtetasit nga Malisheva e Gjilanit iu janë shprehur ngushëllime ndërsa komuniteti shqiptar është vlerësuar për ndjenjën e jashtëzakonshme të solidaritetit dhe ndihmën që i është ofruar të mbijetuarës.
Ambasadori ishte i shoqëruar nga Kryetari i shoqatës “Bashkimi” z. Faruk Bajra dhe anëtarët e kryesisë të shoqatës dhe Diplomati Burim Qorri.
Me këtë rast edhe një herë i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe miqve, dhe urojmë që raste të tilla tragjike të mos përsëriten asnjëherë.