Rashiqi me "ide të mira" për Asociacionin, nga Beogradi reagojnë rëndë: "Sulm direkt ndaj draftit të BE-së"
“Unë vetë do të përpiqem t’i inkorporoj disa ide të mira”.
Duke folur për draft-Statutin e Asociacionit të ofruar nga Bashkimi Evropian, Ministri serb për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, u shpreh “i gatshëm” të kontribuojë me komente dhe ide në tekstin aktual apo në hartimin nga e para të atij dokumenti.
Duke folur në “Kosovapress” Rashiq tha se “nuk i kam bash të qarta shumë sene” referuar tekstit të BE-së të ofruar në fund të tetorit të vitit të kaluar.
Edhe vetë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një reagim në janar të këtij viti ndaj ndërmjetësit evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, e kishte përmendur emrin e Rashiqit si dikush me të cilin mund ta hartonte ndonjë draft.
Kjo kishe ardhur si replikë ndaj Lajçakut i cili shprehej se “nuk ka nevojë” që draft-Statuti i Asociacionit të nënshkruhej nga Serbia “duke qenë se është dokument i brendshëm i Kosovës”.
Në këtë kontekst duket që vinte edhe deklarimi i Rashiqit u shpreh i gatshëm për kontribut.
“Pasi s’kemi draftin tjetër edhe pse unë e lexova draftin por të them të vërtetën shumë sene nuk kam bash të qarta. E di se për draftin mund të them se është një formë gjithëpërfshirëse dhe nuk është hy në detaje. Në momentin kur bëhet prezantimi i draftit qoftë të dërgohet në Kushtetuese apo të dërgohet për verifikim në Komisionin e Venecias, unë do të kisha pasur pyetje, sepse nuk e kam të qarta”.
“Mirëpo nuk është pyetje a do të pajtohem unë apo jo, pasi kemi profesionistë të cilët e vërtetojnë saktë a është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Unë vet do të përpiqet që të inkorporoj ndoshta disa ide të mira por përndryshe...prapë institucionet janë këtu dhe veprojnë. Në fund të fundit nga ai vlerësim që do të ndodhte nuk do të kishte prishur rendin dhe kushtetushërinë”, ka theksuar Rashiq.
S’pritën as edhe një sekond të reagojnë nga Beogradi zyrtar dhe nga dega e tyre politike në Kosovë, Lista Serbe. Këta të fundit me një vrer-hedhje të madhe ndaj Rashiqit të cilin e quajtën “çirak të Kurtit...që s’përfaqëson askënd”.
“Kjo është veçse një marifet i zkaonshëm i Kurtit, i cili disa herë e ka pranuar që nuk do të formojë Asociacionin dhe se tash po e shtyka ministrin e tij të përshtatshëm Rashiqin që të pretendojë të shkruajë një lloj Statuti në emër të komunitetit serb, si pluhur në sy të ndërkombëtare; por në këto truke nuk bjen askush”, ka reaguar Petar Petkoviq, nga e ashtuquajtura “Zyra serbe për Kosovën”.
“Që nga viti i kaluar është një draft-Statut i BE-së në tryezë, që Beogradi ka thënë se është bazë e mirë për formimin sa më të shpejtë të Asociacionit...ndërsa ajo çka ofron Rashiqi është sulm direkt nga draft-Statutit të BE-së dhe vazhdim i trukeve të Kurtit për të minuar dhe anuluar marrëveshjet në Bruksel”, ka thënë Petar Petkoviq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndonëse në fillim e kishte pagëzuar si “pakrahasimisht më të mirë se më parë” draft-Statutin e BE-së, dhe e kishte shpallur pa-një-pa-dy si në “përputhje me germën, ndonëse jo me frymën, e Kushtetutës së Kosovës”; tash e quan të refuzuar draft-Statutin meqenëse Serbia nuk ka dashur të nënshkruajë atë në pako me Marrëveshjen e Bruksel/Ohrit.
Propozimet i fundit i Kurtit ishte që ta dërgonte për rishikim te ekspertët ligjorë të Këshillit të Evropës (që iu refuzua); tjetra, që ta dërgojë Lajçaku në Komision të Venecias (që sërish iu refuzua); si dhe që të shkruajë një tekst mëvete në konsultim me nënkryetaret serbe të komunave të banuara me shumicë serbe por të udhëhequr nga kryetarë shqiptarë (që sërish edhe kjo iu refuzua).