Rashiq nuk kandidon më, askush votë për Srpska-n: 12 ditëshi i fundit i moskonstituimit të qëllimtë të Kuvendit - NACIONALE

Rashiq nuk kandidon më, askush votë për Srpska-n: 12 ditëshi i fundit i moskonstituimit të qëllimtë të Kuvendit

10 muaj më parë

nga NACIONALE

242 ditë kanë kaluar që nga zgjedhjet parlamentare: ndërsa Vetëvendosja e Albin Kurtit me truket më të mëdha procedurale e ka pamundësuar hyrjen në sahatin kushtetues për të zgjedhur qeverinë, për arsyen e thjesht e të mos pasurit 61 vota. Murin e fundit mbrojtës ndaj hyrjes në 15 ditëshin kushtetues për zgjedhje të qeverisë e gjeti te në pozitën politikisht të papeshë të një Nënkryetari serb të Kuvendit të Kosovës, pozitë kjo e garantuar me Kushtetutë për komunitetin serb, të cilët në Kuvend të Kosovës kanë 9 ulëse nga 10 të rezervuara. Në tregimin që Lista Serbe është veçse parti-degë e Beogradit zyrtar Kuvendi është bllokuar dhe Aktgjykimi i tretë i Gjykatës Kushtetuese saktësoi atë që Vetëvendosja e ka shkruar, votuar dhe miratuar vetë në Rregulloren e Kuvendit, që propozimi i takon “shumicës së deputetëve të komunitetit serb”. Partitë ish-opozitare janë ngunjuar në shantazhin patriotik të Vetëvendosjes për një pozitë përfaqësimi politik në kryesi të kuvendit, ku raporti i forcave është 5 me 1 i mbivotueshëm. Nesër, ndërkaq, seanca konstitutive vazhdon pas Aktgjykimit të tretë të GjK-së, por tash me Nenad Rashiqin që ka njoftuar se nuk vetëkandidohet për Nënkryetar të Kuvendit. Partitë ish-opozitare, në anën tjetër, kush më haptaz e kush më brendarreshtash, kanë njoftuar se nuk kanë votë për Listën Serbe. Ndërkaq, pa një Nënkryetar nga komuniteti serb, Kuvendi nuk mund të konstituohet.

...

Nenad Rashiq i tha medias “Lajmi.net” se në leximin e tij të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese çështja ishte e prerë dhe se “nuk shoh më hapësirë” për kandidim – çka Vetëvendosja ka instituar që posti i Nënkryetarit t’i takojë atij.

“Sot e lexova dhe sa e shoh unë dhe të them drejtën nuk jam ekspert për të zbërthyer vendimin e Kushtetueses. Sa e shoh unë gjykata ia ka dhënë të drejtën ekslusive Listës Serbe dhe në këto aspekte, me aq sa e kuptova mirë stemi i votimit në short nuk ka nevojë që të zbatohet më sepse tashmë është e mundshme disa herë brenda 12 ditësh që të votohet dhe nëse e kuptova mirë, unë nuk shoh hapësirë për kandidimin tim. Unë jam besimtar i ligjeve dhe institucioneve, nuk shoh mundësi që unë të jem kandidat dhe nëse gjykata është ashtu e prerë unë nuk po shoh vend për kandidimin tim,” tha Rashiq.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, vlerëson se aktgjykimi i fundit i Kushtetueses ka qartësuar se kush e ka bllokuar Kuvendin e Kosovës, por konsideron se Gjykata duhej të shkonte më tej në sanksionimin e sjelljes jokushtetuese të partisë në pushtet.

"Ky aktgjykim ka treguar qartë se ku ka ngecur puna e Kuvendit dhe ka identifikuar në mënyrë të qartë momentet kushtetuese të bllokimit, të cilat lidhen me sjelljet e kryetarit të Kuvendit dhe të partisë së tij", ka thënë Hasani në një intervistë me shkrim për Gazetën Express.

Sipas tij, "mënyra e administrimit të shortit ka qenë jokushtetuese" dhe Gjykata nuk ka konstatuar "asnjë shkelje kushtetuese në veprimet e 'Listës Serbe'".

Megjithatë, Hasani shpreh kritikë për atë që Gjykata ka lënë në fuqi zgjedhjen e Emilija Rexhepit si nënkryetare të Kuvendit nga komunitetet minoritare joserbe. "Duke 'amnistuar' zgjedhjen e zonjës Emilia Rexhepi, Gjykata Kushtetuese ka 'shpëtuar fytyrën' e LVV-së, por njëkohësisht ka krijuar iluzione tek ata se, me presione terrorizuese, mund të fitojnë koncesione edhe në të ardhmen", thekson ai.

Lidhur me pyetjen nëse Nenad Rashiq mund të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit, Hasani është kategorik: "Rashiqi nuk e përfaqëson komunitetin serb; atë, sot për sot, e përfaqëson partia 'Lista Serbe'."

Lajme të ngjashme