Raportimi i Nacionales për ujë në vend të naftës, Dogana konfirmon parandalimin e një rasti të mashtrimit
Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka “identifikuar dhe parandaluar një rast mashtrimi” lidhur me raportimin e gazetës Nacionale për një skemë të dyshuar kriminale me derivate të naftës. Bazuar në burime të mirëinformuara, Nacionale raportoi se disa kompani ishin përfshirë në një skemë të dyshuar kriminale duke zëvendësuar naftën me ujë.
Në lidhje me rastin e identifikuar, Dogana tha se ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore në bashkëpunim me Prokurorinë.
“Dogana e Kosovës, gjatë ushtrimit të detyrave për kontrollin e mallrave që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, ka identifikuar dhe parandaluar një rast mashtrimi të natyrës së këtij raportimi, ku janë ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura ligjore në bashkëpunim me Prokurorinë dhe ku nuk është liruar askush pa pasoja, siç pretendohet në mënyrë absurde. Dogana e Kosovës, në çdo rrethanë, vepron në përputhje të plotë me kërkesat ligjore.
Kjo është hera e dytë brenda kësaj jave që Dogana e Kosovës përballet me sulme të pabazuara publike, që duket se kanë për qëllim njollosjen e një institucioni që ka dëshmuar sukses të vazhdueshëm dhe profesionalizëm. Raportet ndërkombëtare dhe rezultatet konkrete në terren dëshmojnë qartë se Dogana e Kosovës është një institucion modern, efikas dhe me integritet të lartë.
Dogana e Kosovës është mirënjohëse ndaj shumicës së mediave që nuk bien pre e lajmeve të rreme dhe që refuzojnë të përhapin huti në kontekste të pakuptimta, duke mbrojtur kështu besimin e qytetarëve ndaj institucioneve publike dhe duke ruajtur standardet profesionale të informimit.” – thuhet mes tjerash në raportim.
Cilat janë dyshimet?
Dyshohet se disa kompani, pra pompa të derivative në Kosovë, kanë gjetur lidhje me dy kompani në Shqipëri, prej të cilave, po importojnë derivate të naftës dhe benzinës.
Por, dyshimet janë se manuat e kamionëve që po i sjellin derivatet në Kosovë, disa prej tyre po mbushen në derivate, e disa dhoma të mauneve, po mbushen me ujë.
Për ta kuptuar më qartë, disa kompani nga Kosova – për shembull – po blejnë 5000 litra derivate naftë dhe benzinë në Shqipëri, të cilat po ngarkohen me mauna në Shqipëri dhe të njëjtat nisen për në Kosovë.
Këto mauna, që janë ngarkuar kinse me derivate të naftës dhe benzinës, dyshohet se një sasi e vogël e tyre po mbushet me derivate nafte dhe benzine, ndërkaq sasia më e madhe, po mbushet me ujë.
Për shembull, 1000 litra janë realisht derivate të naftës dhe benzinës, e 4000 tjera janë thjeshtë ujë.
Krejt kjo sasi, pra 5000 litra derivate të naftës dhe benzinës, po zhdoganohet në Kosovë si derivat i naftës dhe benzinës - pra po e kalon kontrollin doganor edhe po vjen tek kompanitë nga Kosova, të cilat edhe i kanë bërë këto porosi.
Ato kompani në Shqipëri, të cilat kanë bërë shitje kinse 5000 litra derivate të naftës dhe benzinës, realisht i kanë të shitura vetëm 1000, ndërsa 4000 të tjera, po dyshohet që po i shesin në tregun e zi, për t’i ikur taksave të derivateve të naftës.
E gjitha kjo, dyshohet se po ndodhë në bashkëpunim me kompanitë në Kosovë.
Kur arrijnë ato 5000 litra të derivative në Kosovë, e kalojnë doganën dhe realisht, kompania i merr vetëm 1000 litra derivate sepse 4000 litra të tjera – janë ujë.
Nëse i ka zhdoganu 5000 litra derivate, kompanitë në Kosovë duhet të bëjnë dalje pra – shitje, prej 5000 litra derivate.
Çka po bëjnë?
Nacionale, mëson nga zhvillimet rreth kësaj teme, se po lëshohen fatura fiktive për kompanitë ndërtimore në Kosovë.
Pra, derivatet që realisht janë ujë, që nuk ekzistojnë fare, po shiten në Kosovë te kompanitë ndërtimore, të cilat i blejnë ato fatura për mbulesë në ATK.
Shembull: Nëse ne kemi një kompani ndërtimi dhe na duhet t’i bëjmë 1000 euro shpenzime që t’i mbulojmë faturat, shkojmë te pompa e benzinës dhe i kërkojmë të na lëshojë një faturë 1000 euro naftë ose benzinë dhe ne si kompani, e paguajmë 200-300 euro (sado që duhet që të paguhet taksa).
Për të gjitha këto, Gazeta Nacionale ka dërguar pyetje në Doganën e Kosovës dhe në atë të Shqipërisë, e gjithashtu, pyetje kemi dërguar edhe në Prokurorinë Speciale por që deri në momentin e publikimit të videos dhe artikullit, nuk kemi marrë përgjigje.