Raportimi i Nacionales kthen në Kosovë nga pushimet drejtorin e KEK-ut, ai 'ngacmon' gazetarin tonë
Pas raportimeve të Gazetës Nacionale se drejtori i prodhimit (operativ) të rrymës në KEK, Luigj Imeri, që nga data 19 gusht është në pushime përderisa blloku A5, A3 dhe B2 janë jashtë funksionit, ky i fundit është nisur drejt Kosovës pak para mesnatës.
Madje ai është siguruar që të sulmojë gazetarët për prishjen e pushimit.
Imeri përmes një postimi në rrjetet sociale ka thënë ‘’Tu u kthye e lashë Beratin mbrapa!’’, duke aluduar në Berat Buzhalën – gazetar në Nacionale - pasi që rruga nga Saranda për në Kosovë nuk i bie as afër qytetit të Beratit.
Buzhala dje postoi në murin e tij në Facebook disa fjalë për z. Imeri, duke rishpërndarë lajmin e pushimeve të tij të përgatitur nga gazetarë tjerë të Nacionales.
Luigj Imeri, në kohën e Qeverisë Kurti I, u vendos përkohësisht në krye të menaxhmentit të KEK-ut.