Raportime kundërthënëse për qytetarin Valdrin Sahiti: Ku 'flen' lepuri? - NACIONALE

Raportime kundërthënëse për qytetarin Valdrin Sahiti: Ku 'flen' lepuri?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dizajneri Valdrin Sahiti është bërë kryetemë gjatë ditës së sotme pas disa raportimeve se mund të ishte arrestuar në Stamboll duke përdorur pasaportë diplomatike.

Siç përcjell Metro, Sahiti është arrestuar pasi dyshohet për veprën penale “blerja, pranimi, posedimi i drogave dhe stimuluesve për përdorim”.

Nacionale ka kontaktuar z. Sahiti për të marrë vesh të vërtetën, por deri në këtë moment nuk ka marrë përgjigje. Ndërkohë, nuk dihet nëse këto raportime janë apo nuk janë të vërteta.

Raportimi vazhdon se policia e Turqisë e ka njoftuar policinë tonë se Sahiti është kapur me pasaportë diplomatike të lëshuar nga Republika e Kosovës.

Ku flen lepuri?

Lepuri fle pikërisht te kjo pasaportë diplomatike që i është ofruar qytetarit Sahiti.

Pasaporta diplomatike është dokument udhëtimi me të cilin pajisjen figura të rëndësishme të botës së politikës, përfshirë presidenten, kryeministrin, kryeparlamentarin etj.

Sahiti thuhet të jetë dizajner që e stilon edhe presidenten Vjosa Osmani Sadriu, gjë që potencialisht do ta bënte edhe më të rëndë gjithë rastin.

Për ‘arrestimin’ e raportuar të Sahitit në Turqi ka shkruar edhe publicisti Halil Matoshi por pas pesë minutash e ka fshirë postimin.

Por, ka shkruar edhe juristi Vigan Qorrolli duke i thënë këto fjalë: “Paramendojeni këtë tipin, shteti ynë, respektivisht MPJ e pati pajisur me pasaportë diplomatike! Dinjitet prej sapuni!”

Ndoshta nuk fle?

Por, këto dhjetëra raportime mediale që thonë se stilisti Sahiti është arrestuar për posedim të substancave narkotike mund të mos jenë të vërteta.

Siç shkruan Telegrafi, në llogarinë e personit në fjalë janë publikuar disa fotografi që e shfatin atë në Dubai.

“Megjithatë as kjo nuk e konfirmon faktin se stilist mund të jetë i lirë, pasi postime të tilla në rrjete sociale mund të bëhen nga persona të afërt familjarë që mund të kenë në posedim llogarinë e tij.” – shkruan ky portal.

Megjithatë fle lepuri

Një vit më parë, prania e presidentes Osmani në një sfilatë mode kishte lënë shije mjaft të keqe te një pjesë e publikut.

Ajo shihej pikërisht me qytetarin Valdrin Sahiti mes shumë personalitetesh tjera të botës së modës.

Nëse është ose jo e vërtetë se Sahiti është arrestuar për posedim droge do të mësohet përfundimisht së shpejti. Por megjithatë, nëse e meriton ose jo pasaportën diplomatike do të jetë vazhdimisht çështje debati.

Lajme të ngjashme