Raporti i vlerësimit të sigurisë dhe sfidave gjeopolitike: Situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar - NACIONALE

Raporti i vlerësimit të sigurisë dhe sfidave gjeopolitike: Situata e sigurisë në veri mbetet e tensionuar

3 javë më parë

nga Flakon Demaku

“Situata e sigurisë në Kosovë mbetet komplekse, e përkeqësuar vitet e fundit nga tensionet e vazhdueshme etnike”, vlerësohet në raportin e fundit "Ballkani Perëndimor 2024: Vlerësimi i gjendjes aktuale të sigurisë dhe sfidave gjeopolitike", i cili hedh dritë mbi tensionet e situatës së sigurisë në veri të Kosovës pas dorëheqjeve të nëntorit 2022 të kryetarëve të komunave me shumicë serbe të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, ndjekur nga betimi i zëvendësuesve të tyre në prill dhe maj 2023.

Mes tjerash, raporti nënvizon dy sfida kryesore me të cilat përballet aparati i sigurisë së Kosovës në veri: riintegrimi i rajonit në strukturën e sigurisë së Kosovës dhe ndërtimi besimit brenda komunitetit lokal.

Një shqetësim i theksuar në raport është vakumi i sigurisë për të cilin thuhet se u shkaktua nga dorëheqjet masive të nëntorit 2022, të cilat, sipas raporit, u shfrytëzuan efektivisht nga grupet e krimit të organizuar. Për më tepër, në këtë kontekst nënvizohet shqetësimi mbi infiltrimet e mundshëm të trupave nga Serbia, gjoja nën maskën e ruajtjes së rendit.

“Dorëheqjet e policisë krijuan një vakum të madh sigurie që po mbushet aktualisht nga forcat e lidhura me grupet e krimit të organizuar. Ekziston gjithashtu mundësia për infiltrim të trupave nga Serbia nën pretendimin e ruajtjes së rendit”, thuhet aty.

Duke cituar mediat e Kosovës, raporti ngrit shqetësimin e rritjes së tensioneve nga përfshirja e taksistëve të paligjshëm me targa të Beogradit në aktivitetet e vëzhgimit kundër autoriteteve kosovare, të dyshuar se janë të lidhur me figura të krimit të organizuar.

“Taksistë ilegalë me targa të Beogradit janë duke u angazhuar në aktivitete vëzhgimi ndaj policëve të Kosovës. Këta shoferë, të pajisur me pajisje zakonisht të rezervuara për zbatimin e ligjit, kanë qenë të lidhur me Radojiçiqin, organizatorin e dyshuar të sulmit në Banjskë”, thuhet aty.

Protestat e fundit për shpronësimin e tokës për një stacion të planifikuar të Policisë së Kosovës në Leposaviq dhe Zubin Potok gjithashtu mosbesimin e thellë dhe sfidat e komunikimit ndërmjet qeverisë dhe komunitetit lokal.

Raporti gjithashtu hedh dritë mbi pasojat e eksodit masiv të serbëve të Kosovës nga forca policore në vitin 2022, duke sugjeruar se disa individë mund t'i jenë rikthyer aktiviteteve të paligjshme nën maskën e entiteteve paralele të sigurisë.

“Dorëheqja masive e serbëve të Kosovës në veri nga forca policore në vitin 2022 ka çuar në besimin e përhapur se këta individë janë kthyer në aktivitetet e tyre origjinale, të paligjshme nën maskën e këtyre organizatave, siç dëshmohet nga përcaktimi i fundit nga qeveria e Kosovës për këto organizata”, thuhet në raport.

Duke shprehur shqetësimin, raporti pohon se prania e madhe e njësive të specializuara policore në veri të Kosovës është një qasje e paqëndrueshme duke nënvizuar nevojën që “qeveria të gjejë një zgjidhje më të duhur që njeh nevojat e komunitetit lokal në veri".

Lajme të ngjashme