Raporti i Progresit: Përparim i kufizuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore
Raporti i Progresit për Kosovën i vitit 2024 ka identifikuar "përparim të kufizuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore", duke u përballur një sërë sfidash në aspektin e sigurisë, mirëmbajtjes së pamjaftueshme dhe kapacitetit të dobët administrativ të institucioneve rregullatore.
Raporti thekson ndër të tjera vonesat në tenderimin e sistemeve të sinjalizimit dhe telekomunikacionit si rezultat i mungesës së financimit.
"Kosova ka bërë përparim të kufizuar në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore. Gjatë periudhës së raportimit, nuk ka pasur përparim në autostradën Prishtinë – Merdare apo në ‘Autostradën e Paqes’. Punimet e rehabilitimit për Linjën Hekurudhore 10 kanë vazhduar me ritme të ngadalta. Tenderimi për sistemet e sinjalizimit dhe telekomunikacionet, që është me prioritet të lartë, ende është i vonuar për shkak të mungesës së financimit. Sistemi i transportit vazhdon të përballet me disa sfida në aspektin e sigurisë, mirëmbajtjes së pamjaftueshme dhe kapacitetit të dobët administrativ të institucioneve rregullatore." - thuhet në raport.