Raporti i KiE-së: Prania e Njësisë Speciale në veri është tepruar, çon në tensione - NACIONALE

Raporti i KiE-së: Prania e Njësisë Speciale në veri është tepruar, çon në tensione

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Tashmë është publikuar raporti i ekspertëve të Këshillit të Evropës për Kosovën, institucion ky ku vendi ynë synon të anëtarësohet. Kosova kritikohet për shumë çështje, duke përfshirë këtu edhe dërgimin e Njësisë Speciale në veri. Çka thuhet aty?

Sipas raportit të KiE-së, prania e njësisë speciale në veri “është bërë tepruar”. Madje, sipas tyre, për një gjë të tillë pajtohen të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë.

“Pas dorëheqjes së policëve serbë, ka pasur një tendencë të shtuar për vendosjen e njësive speciale të policisë në veri. Ndërsa Ministria e Brendshme pohon se njësi të tilla dërgohen në bazë të një vlerësimi të saktë të kërcënimit, të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë pajtohen se prania e tyre është bërë e tepruar dhe çon në tensione me popullsinë në veri.” – thuhet fillimisht.

Megjithatë, përmendet që në raste si sulmi i 24 shtatorit, padyshim që këto njësi dhet të përdoren.

Tutje, shkruan edhe për marrëveshjen e Qeverisë së Kosovës me emisarin evropian, Miroslav Lajçak për tërheqjen e një pjesë të njësisë speciale nga veriu.

“Kjo nuk do të thotë se një prani e tillë nuk mund të justifikohet kurrë. Në rastin e sulmeve nga grupet e armatosura, siç ishte rasti më 24 shtator 2023, padyshim që njësi të tilla duhet të përdoren. Autoritetet e Kosovës ranë dakord, në një takim me Përfaqësuesin Special të BE-së, Lajčák në Bratislavë në korrik, që prania e forcave speciale të policisë në veri duhet të reduktohet dhe prania e tyre të bazohet në një vlerësim të përbashkët të kërcënimit me KFOR-in dhe EULEX-in. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk ka qenë e mjaftueshme për të zbutur tensionet” – thuhet aty.

Asociacioni

KiE i ka kërkuar mes tjerash edhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndonëse, nuk është kërkesë që rezulton nga standardet e këtij institucioni.

“Mundësia për të krijuar asociacionin nuk është një kërkesë e përgjithshme që rezulton nga standardet e Këshillit të Evropës. Në rastin e Kosovës, megjithatë, është obligim ndërkombëtar i Kosovës dhe duket i domosdoshëm për të reduktuar tensionet ndërmjet shumicës dhe komunitetit serb të Kosovës. Prandaj rekomandohet që autoritetet e Kosovës ta lënë kundërshtimin e tyre ndaj themelimit të Asociacionit dhe të hyjnë në negociata me mirëbesim për statutin e mundshëm të një shoqate të tillë, i cili do të duhej të ishte plotësisht në përputhje me rendin juridik të Kosovës.” – thuhet në raport.

Manastiri i Deçanit

Ekspertët e KiE-së kërkojnë që autoritet në Kosovë pa asnjë vonesë të implementojnë vendimin për Manastirin e Deçanit.

“...gjykata vendosi që 24 hektarë të tokës përreth i takojnë Manasitirit të Deçanit. Një vendim i tillë ishte kritikuar nga politikanë, dhe pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar, nuk u implementua. Kjo është qartë shkelje e ligjit.” – thuhet aty.

Në fund sa i përket kësaj pjese, thuhet: “Autoritet e Kosovës duhet që pa vonesa ta implementojnë vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit”.

Lajme të ngjashme