Raporti i KE-së: Disa zyrtarë të lartë nënçmuan, shpifën e frikësuan gazetarët
Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar, Kosova ka bërë progres të kufizuar sa i përket lirisë së mediave. Tashmë kur edhe është bërë publik Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2023, shqetësimet mbesin ende të mëdha.
Qysh në fillim, thuhet se gazetarët janë cak i kërcënimeve, fushatave shpifëse e gjuhës së urrejtjes.
“Progres i kufizuar është bërë në adresimin e rekomandimeve nga raporti paraprak. Shqetësimet mbesin ndaj sulmeve fizike dhe kërcënimeve, fushata shpifëse publike dhe gjuhë e urrejtjes drejtuar gazetarëve. Jo të gjitha kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave janë raportuar te autoritetet, sidoqoftë, në vitin 2022 është parë një rritje e lehtë në numrin e rasteve të raportuara.” – thuhet në raport.
Poaçërisht, KE-ja e konsideron shqetësuese edhe situatën e krijuar me gazetarët e mediave pas disa sulmeve në veri, gjatë periudhës kur atje kishte tensioneve.
KE tutje e bën të qartë – nuk ka pasur progres në përmirësimin e ligjit për RTK-në apo në atë për Komisionin e Mediave të Pavarura.
“Ky proces, duhet të jetë transparent dhe përfshirës, me përfshirjen e akterëve të mediave dhe shoqërisë civile.” – thotë KE-ja.
Përmendet po ashtu, edhe heqja e licencës për mediumin “Klan Kosova” që shkaktoi shqetësime të mëdha.
“Mungesa e vetëqëndrueshmërisë financiale i lë mediat të pambrojtura ndaj interesave politike dhe të bizneseve. Kjo përforcohet edhe më shumë nga mungesa e informacioneve dhe të dhëna mbi pronësinë e mediave, dispozitat për këtë ende nuk janë vendosur me ligj. Vendimi për tërheqjen e licencës së biznesit të një transmetuesi të madh privat ka ngritur shqetësime serioze. Një veprim i tillë mund të ketë ndikim negativ në gjendjen e lirisë së mediave në Kosovë.” – thuhet aty.
Po ashtu, KE-ja në raport tutje shpreh: “Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk janë përmbushur dhe për këtë arsye mbesin të vlefshme”.

Kështu, tutje jepen disa rekomandime:
“Vitin e ardhshëm, Kosovë në veçanti duhet ta përmirësojë bashkëpunimin institucional dhe përgjigjigjen e institucioneve për sulmet ndaj gazetarëve dhe format e tjera të presionit, duke përfshirë rritjen e kapacitetit të autoriteteve prokuroriale, gjyqësore dhe të zbatimit të ligjit për të trajtuar çështjet në lidhje me të drejtën e lirisë së shprehjes dhe informacionit
Duhet ta rishikojë ligjin për radio dhe televizionin për të siguruar financim të qëndrueshëm duke ruajtur pavarësinë e tij; të rishikojë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave për të përditësuar kompetencat e tij, duke përfshirë në lidhje me mediat audiovizive, në përputhje me Direktivën për Shërbimet Mediale Audiovizive; rritje e disponueshmërisë së të dhënave për tregun audioviziv, veçanërisht për pronësinë e medias”.
Rastet e sulmeve ndaj gazetarëve u rritën në krahasim me vitin 2021.
“Në vitin 2022, Asociacioni i Gazetarëve në Kosovë raportoi për 33 raste të frikësimit, kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve dhe profesionistëve të tjerë medialë, rritje kjo nga 29 rastet që u raportuan në vitin 2021. Nga këto, 19 raste u klasifikuan si kërcënime dhe ngacmime ndaj personave fizikë, gazetarëve, tetë prej tyre ishin sulme fizike, gjashtë ishin sulme ndaj mediave, organizatave mediale dhe/ose ndaj shoqatave të gazetarëve.” – thorë KE-ja.
Raporti përmend edhe sulmet nga zyrtarët publikë, duke përfshirë zyrtarët e lartë ndaj gazetarëve.
“Statistikat e Këshillit prokurorial tregojnë se 14 raste të nxitjes së sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve janë në vazhdim e sipër, me nëntë raste të zgjidhura. Në disa raste, zyrtarët publikë, duke përfshirë zyrtarë të nivelit të lartë, kanë bërë deklarata nënçmuese, shpifje dhe kanë përdorur gjuhë frikësuese ndaj gazetarëve.” – thuhet aty.
Në fund, përmendet edhe situata e krijuar në veri:
“Me vendosjen e barrikadave dhe ngritjen e tensioneve politike në veri të Kosovës, ka pasur disa sulme me target mediat në gjuhën shqipe dhe gazetarët. Asociacioni i gazetarëve të Kosovës i bëri thirrje Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it që të ofrojnë siguri për gazetarëve dhe mediat. Po ashtu, kërkuan edhe për hetime të shpejta. Gjatë majit dhe qershorit të vitit 2023, një numer sulmesh të paprecedenta ndaj gazetarëve u regjistruan. AGK-ja regjistroi mbi 30 sulme, duke përfshirë sulm fizik dhe dëm i mjeteve dhe pajisjeve”.
