Raporti i DASH-it nuk e mbush mend Qeverinë, vazhdon arroganca ndaj gazetarëve  - NACIONALE

Raporti i DASH-it nuk e mbush mend Qeverinë, vazhdon arroganca ndaj gazetarëve 

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Qeveria e Kosovës ka zgjedhur heshtjen përballë raportit të DASH-it, i cili konstaton se gazetarët në Kosovë hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike.

Zyrtarët e lartë të Qeverisë jo që nuk kanë reflektuar ndaj gjetjeve të raportit, por kanë vazhduar me avazin e vjetër.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot ka konfirmuar konstatimet e raportit, duke mos u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për disa çështje dhe duke i fyer ata.

Gjatë një konference për medie, ku kishte dalë të fliste për disa sulme ndaj Policisë së Kosovës në veri, ai refuzoi pyetjen e gazetares Besarta Hoti, duke i thënë “të mos flasë budallallëqe”.

Një sjellje të tillë e ka dënuar edhe Asociacioni i Gazetareve të Kosovës (AGK).

“Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, në një konferencë shtypi sot i ka quajtur 'budallallëqe' pyetjet e gazetares Besarta Hoti, të portalit ‘Periskopi’. Gazetarja Hoti e ka pyetur ministrin për punësimin e motrës së tij, në Ministrinë e Bujqësisë në Qeverinë e Kosovës, në një konferencë shtypi. Sjellja e ministrit Sveçla është joprofesionale për postin që mban dhe gjithashtu ka konotacione seksiste. Përgjigjja e tij ka nxitur një varg reagimesh linçuese online që e kanë targetuar gazetaren”, është thënë në reagimin e AGK-së.

Asociacioni u ka bërë thirrje institucioneve për sjellje korrekte në raport me gazetarët.

“AGK-ja konsideron se gazetarët janë të lirë të pyesin çdo lloj pyetje në interes publik, pavarësisht temës qendrore të konferencës. Për më tepër, MPB-ja sikurse ministri të tjera të qeverisë, nuk kthejnë përgjigje shumicën e kohës në pyetjet e mediave”, ka vlerësuar AGK-ja.

Opozita kërkon nga qeveria të mos injorojë gjetjet e raportit

Subjektet opozitare janë shprehur të shqetësuara me injorimin që Qeveria e Kosovës po ia bën gjetjeve të raportit të DASH-it.

Përfaqësuesit e këtyre partive kanë vlerësuar se gjetjet e këtij raporti janë serioze dhe si të tilla duhet te merren nga Qeveria e Kosovës.

Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi, ka thënë se nëse vazhdon heshtja e qeverisë ndaj problematikave të evidentuara, raporti i ardhshëm pritet të jetë më shqetësues.

“LDK kërkon që qeveria ta marrë seriozisht raportin e DASH-it dhe jo ta injorojë atë. Po të vazhdojë kjo praktikë e shkeljes së ligjit, raportet e ardhshme do të jenë edhe më shqetësuese. Sa i përket mostransparencës së qeverisë, si LDK kemi shprehur pakënaqësinë karshi raporteve me rëndësi”, ka thënë Mjekiqi në një konferencë për medie.

Ajo ka përmendur gjetjen e raportit në fushën e lirisë së shprehjes, ku ka pasur cenime më të shumta.

“Disa çështje serioze që trajtohen në raportin e fundit të raportit të DASH-it dhe raporteve tjera ndërkombëtare. Liria e shprehjes e cila është e garantuar me Kushtetutë është cenuar për mediat e gazetarët duke iu referuar raporteve kredibile, ku disa politikanë e të tjerë kanë ndërhyrë e kanë ushtruar presion ndaj tyre”, ka thënë Mjekiqi.

Më tej, zyrtarja e LDK-së ka përmendur edhe problemet në fushën e ligjit.

“Mediat kanë rol të jashtëzakonshëm në mbikëqyrjen e punës së qeverisë. LDK dënon praktikën e sulmeve ndaj mediave. Mosndëshkimi nga ana e qeverisë jep një shembull të keq. Sundimi i ligjit për vitin 2021 është karakterizuar me mangësi të shumta dhe mosveprim nga ana e qeverisë. Sipas raportit, shumë zyrtarë të korruptuar vazhdojnë të mbajnë pozita të larta vendimmarrëse”, është shprehur ajo.

Për kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, raporti ka treguar paaftësinë e qeverisë në shumë fusha.

“Raporti për Të Drejtat e Njeriut në Kosovë, i publikuar së fundmi nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përveç që ka evidentuar shumë dimensione të qeverisjes së paaftë të cilat i kemi thënë vazhdimisht edhe ne si opozitë, ka nxjerrë në pah përkeqësimin e një prej shtyllave qendrore të demokracisë, lirisë së shprehjes dhe mediave. Në qendër të këtij vlerësimi për vështirësitë e mediave dhe gazetarëve për të raportuar drejt, hapur dhe në mënyrë të pavarur, raporti ka përmendur pengesat, mungesën e transparencës dhe kërcënimeve, protagonistët e të cilave kryesisht janë vetë njerëzit e pushtetit”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në Facebook.

Ai ka ftuar qeverinë që të reflektojë ndaj këtyre gjetjeve.

“Kjo është e papranueshme për një shoqëri të lirë e demokratike. Mendësia e kërcënimit të mediave nga qeveritarët, nuk ka të bëjë asgjë as me traditën tonë politike, as me mënyrën tonë të kooperimit dhe as me aspiratat për të cilat qëndrojmë politikisht. Prandaj, duke mbështetur pa asnjë rezervë punën e lirë të gazetarëve, ne ftojmë qeverinë që të reflektojë përballë kritikave të Departamentit Amerikan të Shtetit, si dhe të japë shembullin e respektimit të lirisë së medias e të ndalojë kërcënimin ndaj tyre. Ky është një prej obligimeve themelore që do të duhej ti kishte një qeveri demokratike”, ka shkruar Krasniqi.

Raporti për të Drejtat e Njeriut në Kosovë i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka evidentuar disa mangësia në disa fusha.

Mangësitë kryesore vërehen në fushën e lirisë së shprehje, duke vlerësuar se gazetarët në Kosovë hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike.

Në raportin e publikuar këtë javë thuhet se pavarësisht që në përgjithësi u respektua liria e shprehjes, sërish ka pasur tentime për frikësim të përfaqësuesve të medieve nga politikanë, persona publikë, biznese dhe grupe fetare.

“Gazetarët hasën në vështirësi në marrjen e informacionit nga Qeveria dhe institucionet publike, pavarësisht nga ligjet që ofrojnë qasje në dokumente publike”, është thënë në raport.

Lajme të ngjashme