Raporti i BQK-së: Remitancat arritën në 635 milionë euro deri në muajin qershor
Remitancat deri në qershor të këtij viti, kanë arritur deri në 635.1 milionë euro, sipas një raporti të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës.
BQK përmes një raporti, ka treguar se kjo shifër është rritur për 14 për qind, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Remitancat janë kategoria kryesore në kuadër të të ardhurave dytësore, vlera e të cilave deri në qershor 2023 shënoi 635.1 milionë euro, që paraqet rritje prej 14% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit kaluar (555.4 milionë euro ishte deri në qershor 2022).” - thuhet në njoftim.
Po ashtu, në raport thuhet se shenzimet e udhëtimit të kosovarëve, gjatë qershorit kanë arritur vlerën 58.9 milionë euro, 46 për qind prej tyre, në Shqipëri.
“Shërbimet deri në qershor 2023 kanë shënuar bilanc pozitiv në vlerë 553.2 milionë euro, që paraqet rritje prej 36% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022 (407.8 milionë euro). Kategoria kryesore e shërbimeve janë shërbimet e udhëtimi. Vetëm gjatë muajit qershor në Kosovë shërbimet e udhëtimit kanë arritur vlerën 141.3 milionë euro, vitin e kaluar në këtë periudhë kanë qenë 132.3 (7 % më të ulëta se këtë vit). Rreth 90% e shpenzimeve të udhëtimit në Kosovë, përkatësisht 126.6 milionë euro janë shpenzimet e diasporës. Krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar, diaspora këtë vit ka shpenzuar rreth 15% më shumë.” – thuhet në raport.